Banorët e Kombinatit, protestuan paraditen e së shtunës, lidhur me banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, duke kundërshtuar shembjen e pallateve.
Njëri nga banorët e prekur nga shembja tha për MCN Tv se lista për t'u shembur është me mbi 30 pallate, ku deri më tani janë shembur 17 të tillë.
Për pallatin tim 146, nuk kemi qenë dakord me vendimin e Këshillit Bashkiak. E kemi konsideruar në mënyrë faktuale si një vendim arbitrar dhe të pabazuar në fakte. Kam dërguar një letër bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak, kryetarit Erion Veliaj dhe Këshillit Bashkiak, ku i kam informuar se vendimin e tyre për shembjen, kam konstatuar parregullsi në bazë të të cilave nuk mund të shkohej deri në shembjen e pallatit. Nuk u bënë të gjallë, planin e kanë pasur që më parë për ti rrafshuar dhe plani aktual ka qenë sebep natyror i pakundërshtuar. Informacioni nuk ka qenë konsistent mbi planin, por bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 4.5 hektarësh. Më në fund ka dalë në dritë plani për të zhvilluar Kombinatin e vitit 2030. Plani konsiston që 4.5 hektarë, thuhet se do të bëhen lulishte. Kjo për një njeri me logjikë normale, është pikëpyetja se ku është interesi publik të prishësh pallate dhe të bësh lulishte? Kjo nuk i shkon për shtat Ramës dhe Veliajt, ndaj nuk kanë ardhur të flasin. Kurdoherë që do vijnë këtu, zgjedhin ca njerëz të tyre.
Ai shtoi se protesta e sotme, është e para dhe erdhi prej gjithë mllefi i kombinatasve, si dhe bëri të ditur se janë ftuar gjithë banorët e Kombinatit që i’u janë shembur shtëpitë të nënshkruajnë peticionin me një kërkesë specifike.
Kërkoj rindërtimin e pallatit tim në të njëjtin vend ku ka qenë më parë. Në gjykatë janë rreth 10 pallate dhe 15 padi. Kombinati ka zgjedhur rrugën juridike për tu përballur me të keqen që erdhi. Rruga e protestave ka treguar që ka dështuar.



