Nga Amerika, që është edhe vendi më i goditur nga koronavirusi, vijnë lajme të mira përsa i përket gjetjes së vaksinës. Shtetet e Bashkuara thonë se presin që nga fundi i verës të fillojnë prodhimin e dozave të vaksinave të mundshme.
Sipas kanalit amerikan të lajmeve financiare CNBC, një zyrtar i lartë i administratës Trump u tha gazetarëve se prodhimi është në proces, edhe pse ata nuk janë të sigurt se cila lloj vaksine do të funksionojë.
Aktualisht në botë numri i infektimeve ka arritur në 13 milion, duke përfshirë edhe diçka më shumë se 570 mijë vdekje. Ndërkohë njoftimi vjen në një kohë kur shumë qeveri po rikthejnë masat dhe udhëzimet për karantinën, me qëllim distancimin social që sjell frenimin e përhapjes.
Zyrtari citohet të thotë se ata janë duke blerë pajisje, po sigurojnë objektet e prodhimit dhe materialet e papërpunuara që nevojiten për vaksinën. Sipas CNBC, dy kompanitë e përfshira në në zhvillimin e një vaksine të re të mundshme, Moderna dhe Johnson & Johnson, pritet që nga fundi i këtij muaji të fillojnë provat e avancuara në njerëz. Në rast se do të rezultojnë efektive atëherë mund të ketë shpresë për zhdukjen totale të koronavirusit.



