Nga e enjtja e 25 prillit, turistët do të duhet të paraqesin një biletë për të hyrë në Venecia, nismë e cila synon të ndalojë turizmin masiv.
Bileta kushton 5 euro, blihet online dhe duhet të paraqitet në pikat kryesore të hyrjes në Serenissima.
Venecia bëhet qyteti i parë turistik në botë që vendos një tarifë hyrjeje.
"Ky është një eksperiment dhe është hera e parë që është bërë në botë", shpjegoi kryebashkiaku i Venecias Luigi Brugnaro gjatë një konference për shtyp në fillim të prillit në Romë.
Zbatimi i kësaj nisme e cila është shtyrë disa herë, synon vetëm turistët e përditshëm që hyjnë në qytetin e vjetër nga ora 08:30 deri në orën 16:00. Ata do të duhet të shkarkojnë kodin e tyre QR në sitin e dedikuar, i disponueshëm në anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht, përveç italishtes.
Turistët që nuk e kanë kryer këtë formalitet do të ftohen ta marrin atë në minutën e fundit pas mbërritjes së tyre me ndihmën e operatorëve vendas.
Personat me aftësi të kufizuara, ata që shoqërojnë një të afërm me aftësi të kufizuara, ata nën 14 vjeç, studentët, pjesëmarrësit në një ngjarje sportive janë të përjashtuar nga kjo tarifë.



