
Gerhard Baka, specialist i trafikut urban, foli në MCN Live për gjobat që do t’u vendosen këmbësorëve që shkelin rregullat gjatë kalimit në rrugë. Baka tha se masa administrative do të kapë vlerën 500 në 2000 lekë të reja. Ai vuri në dukje se nuk kemi të bëjmë me një fushatë ndëshkimore, por më tepër një formë sensibilizimi. “Përfshihen këmbësorët, çiklistët, drejtuesit e skuterave, patinave. Një drejtues i skuterit elektrik është detyruar të jetë i pajisur me një leje drejtimi. Patinat elektrike jo detyrimisht kanë detyrimin për leje drejtim, por duhet të njohin njohuritë bazë. Kemi pak kohë, nisur nga statistikat që shkaktarë determinant në ngjarje rrugore s’ka qenë vetëm drejtuesi i mjetit, por edhe këmbësorët janë një faktor i rëndësishëm, edhe ata kanë detyrim të respektojnë rregullat. Policia Rrugore ka filluar me masat ndëshkuese kur evidentohen raste flagrante. Shohim një këmbësor kapërcen karrexhatën! Rruga ‘Dritan Hoxha’ është një nga akset më të rrezikshme. Jo më larg se 70 metra, 100 metra e kanë mbikalimin. Është një masë administrative nga 500 në 2000 lekë të reja, për këmbësorët dhe drejtuesit e patinave. Në momentin që konstatohet një këmbësor që ka shkelur rregullat, i kërkohet dokument identifikimi, apo leje drejtimi. Në momentin që e konstatojmë ndëshkohet nga 500 në 2000 lekë. Nëse është i pajisur me leje drejtimi aty është më e rëndë dhe ndëshkohet maksimalisht", u shpreh Baka. Nuk kemi filluar një fushatë ndëshkimore, më shumë është në formë sensibilizimi. Po përgatisim edhe broshura se si duhet të sillen në rrugë. Të moshuarit, fëmijët, minorenët, janë një kategori që nga ana jonë është zgjedhur forma e këshillimit. Ka njerëz që i respektojnë rregullat, por është edhe një kategori, që edhe pse e këshillojmë apo jemi prezent, ka pasur reagim të ashpër, agresiv, dhe kjo lë për të dëshiruar. Jemi në një mesatare 30-40 masa administrative, që janë vendosur kryesisht në segmentet që ka pasur ngjarje rrugore për shkak të këtij fenomeni. Tirana mbizotëron, ndërsa në qytetet e tjera rrallë herë ka pasur ngjarje. Por shumë shpejt do vihet në zbatim edhe në qytete të tjera, sepse është dispozitë e Kodit Rrugor që kërkon shtrirje në gjithë territorin e Shqipërisë. Në 60 për qind të rasteve këmbësorët janë fajtorë në aksidente. Është sinjalistika rrugore, edhe pse ka nevojë për përmirësime”, tha ai.



