
Shqipëria është në listën e vendeve pjesërisht të lira sipas raportit të fundit të Freedom House.
Raporti me titull “Liria në botë në 2018-n” e vendos Shqipërinë në të njëjtin grup me Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën dhe Malin e Zi. Të dhëna më të detajuara për Shqipërinë pritet të jepen në ditët në vijim.
Ndërsa vendet e tjera të rajonit si, Kroacia, Serbia dhe Greqia renditen krah vendeve të lira.
Në raport konkuldohet se 45 % e vendeve janë të lira, 30 % pjesërisht të lira dhe 25 % jo të lira.
Rusia dhe Kina cilësohen si vende që nuk kanë bërë përparim në demokracinë e brendshme dhe për më tepër janë përpjekur ta shtrijnë influencën e tyre negative edhe në vendet e tjera. Ndër tiparet kryesore të autokracisë në Kinë identifikohen gjykatat e politizuara, intoleranca ndaj disidentëve dhe zgjedhjet e paracaktuara.
Turqia ka shënuar një hap prapa, duke u kthyer në grupin e vendeve jo të lira. “Demokracia atje është në rënie të lirë që prej vitit 2014, kur nisi një seri sulmesh ndaj mediave, përdoruesve të rrjeteve sociale, protestuesve, partive politike dhe sistemit gjyqësor. Presidenti Erdogan vijon luftën për të imponuar kontrollin mbi shtetin dhe shoqërinë atje”, thuhet në raport.
Shtetet e Bashkuara kanë hequr dorë nga roli tradicional si kampione të idealeve demokratike.
“Viti i ka kaluar solli gërryerjen e mëtejshme të standardeve demokratike, duke dëmtuar kështu besueshmërinë e SHBA-ve në arenënndërkombëtare si kampione e qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut ”, thuhet në raport.



