Presidenti Ilir Meta sulmoi edhe sot kryeministrin Edi Rama. Meta tha se Rama po përgojon Dëshmorët e Atdheut sepse i urren ata. Kreu i Shtetit ka reaguar me tone të ashpra dhe me akuza të rënda ndaj Ramës, duke e quajtur zëdhënës të armiqve të Kombit dhe si person që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Metës Rama, të cilin ai e quan Esat i Rilindjes, duke nënkuptuar Esat Pashë Toptanin, nuk ka respekt për dëshmorët e Atdheut që kanë humbur jetën në luftën Nacionalçlirimtare.
“Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun! Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave.”
Kreu i shtetit përsëriti se në 25 prill kryeministri do të marrë përgjigjen nga populli. Në fund ai e fton sërish në debat televiziv: “Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua? Mezi po të pres!”

Reagimi i Metës erdhi pas një deklarate të kryeministrit Rama për maskat. Rama tha se secili qytetar mund të mbajë një maskë tekstili dhe ta ketë të personalizuar. Duke marrë si referencë veten, që sot e kishte maskën me trëndafilin, simbolin e PS, Rama tha se Meta mund ta zgjedhë me Vojo Kushin.
Kryeministri Edi Rama ju përgjigj presidentit Ilir Meta pas një reagimi të këtij të fundit për përgojimin, që sipas tij, Rama u bën Dëshmorëve të Atdheut.
Rama këshilloi Metën që heronjtë t’i mbajë në zemër, ndërkohë që kryen detyrën që i takon. Ai e akuzoi kreun e shtetit se me deklaratat që hedh, po nxit rrëmujë për të përfituar vetë
“Ilir, ti duhet ta kuptosh se nuk ka pasur para teje dhe nuk do ketë pas teje, as principatë, as monarki, as republikë në botë, që të ketë dhënë dekorata për heronjtë e luftrave të shkuara! Kjo është komedia e një marrëzie të pashoqe që të bën gazin e botës dhe të republikës sonë! Heronjtë mbaji në zemër e në mendje kur flet e vepron, duke respektuar detyrën e lartë e duke dhënë shembullin që detyra të imponon, jo duke sharë si i dehur me ata në gojë e duke nxitur dasi, sherr e rrëmuja për interesat e tua krejt personale dhe për partinë tënde të degraduar!”



