Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme, me vendim të Këshillit të Ministrave, projektligjin për faljen e pagesave dhe detyrimeve, të cilat përllogariten në shumën e 90.97 miliardë lekëve.
Ministri i Financave tha se ky ligj do të sjellë lehtësi të ndjeshme në terrenin fiskal dhe ekonomik të vendit.
“Ky ligj është një premtim i mbajtur, por mbi të gjitha është tejet i qartë, lehtësi të ndjeshme në terrenin fiskal dhe ekonomik të vendit”, tha ministri Ahmetaj.
Me anë të këtij projektligji synohet: • Të fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatëvonesën dhe gjobën, për periudhat përpara Dhjetor 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
* Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014 me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet e plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
* Fshirja me të njëjtat kushte e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
* Fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore me kushtin e pagesës së kontributit, nisur nga fakti se ky është një kontribut që I është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllime të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit.
* Gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin (ato gjoba që qytetarët e mbajnë mend, në qershor 2016 kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik online. Fshirja e gjobave për deklarimin e kontributeve ishte një premtim i drejtpërdrejtë që Kryeministri dhe qeveri ia kaloi drejtpërsëdrejti dhe në transparencë të plotë qytetarëve, që atë ditë që shqetësimi u bë i ditur.
* Përfshihen këtu edhe rastet e gjobave referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
* Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para 2010 dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve 2011 e në vijim. Pra është parimi i pagesës së principalit për fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave.
* Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatoreve të sektorit elektroenergjetik me kapital 100 % shtetëror dhe sektorit të ujësjellës-kanalizime, si sektorë strategjikë të ekonomisë dhe në reformë të thellë, kemi parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që u përkasin periudhave Janar 2011 deri Dhjetor 2013. Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/taksës/tarifës/kontributit. Pra ndryshimi i vetëm për këta sektorë krahasuar me kategoritë e tjera, është periudha 2011-2013 kur fshihen në total detyrimet dhe jo në mënyrë të kushtëzuar, si kompani me kapital 100% shtetëror!
* Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.
* Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë.



