Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, thotë se masa e sigurisë “arrest me burg” nuk duhet të aplikohet për personat nën hetim, por për ata që janë marrë të pandehur.
Duke folur për “MCN Live” lidhur me rastin e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ai ndan bindjen se është një izolim i padrejtë dhe se mungojnë provat.
Në vijim ai shtoi se është i njëjti gjyqtar që 72 orë më parë vendosi ato masa sigurie për Veliaj dhe bashkëshorten e tij dhe më tej zbuti masën ndaj Ajola Xoxës, për arsye humane.
Sipas tij, është mbushur paraburgimi plot me persona nën hetim dhe shumë pak të pandehur, duke saktësuar se i pandehuri është i arrestuar, por personi nën hetim jo dhe se kjo duhet saktësuar në ligj.
Manjani u shpreh se sjellja e Edi Ramës është tipike e pastër elektorale, për ti dhënë fuqi Partisë Socialiste që të ketë një motivim tërësisht elektoral dhe se Rama është tërësisht legjitim për të bërë lëvizjet që bën.
Nëse është e vërtetë që prokurori i çështjes është në konflikt interesi, kemi problem ligjor. Nëse është e vërtetë se është përfitues i lejes së ndërtimit, ai nuk mund të jetë prokuror, të paktën jo i kësaj çështje.
Unë besoj se masa e “arrestit me burg” është masë ekstreme. Këtë ide e kam artikuluar sa herë ka pasur ngjarje VIP dhe lavdi zotit që ka ngjarje VIP që të kuptojë publiku se sa e rëndë është gjëja.
Se për të tjerët që arrestohen për të njëjtat kushte nuk e çan kokën njeri. Kjo nuk ka lidhje detyrimisht me Veliajn sot, se unë të njëjtat gjëra kam thënë për Saimir Tahirin, Sali Berishën apo Ilir Metën.
Kjo është tezë dhe ka të bëjë me mua. Arresti me burg është një gjë ekstreme, e jashtëzakonshme. Është një gjë që ndodh në mënyrë emergjente.
Në këtë kuptim arresti me burg është i padiskutueshëm kur kapet personi në flagrancë. Në të gjithë botën kështu ndodh. Ky është kuptimi klasik i arrestit.
Çdo gjë për hetim në të shkuarën, gjetje fabulash, dëshmitarësh, përgjimesh, të gjitha këto kërkojnë vendim, arsyetim.
Për një ngjarje kriminale gjëja e parë që bëhet përcaktohet rrethi i personave që kanë dijeni për ngjarjen, e kufizon te personat që kanë lidhje me ngjarjen rrethin dhe e merr person nën hetim.
Dhe nga personi nën hetim kur provat bëhen të forta dhe të pakundërshtueshme, atëherë ndryshon statusi dhe merresh i pandehur, ky është rasti i dytë se kur mund të aplikohet arresti me burg, përveç flagrancës.
Nuk ka shqiptar sot që nuk është nën hetim, që nuk ka ngulur një gozhdë te fasada e ballkonit, që të ketë paguar taksat rregullisht.
Ka shumë arsye që shqiptarët sot masivisht të vendosen nën hetim. Çfarë do të thotë kjo? Që shqiptarët ti fusim të gjithë në burg.
Ndaj ne themi se është arrestuar pa prova. Nëse lexoj që ndaj personit nën hetim është vendosur masë arrest me burg, automatikisht them se është një masë në prova.
Masa e arrestit merret bazuar në prova. Kush e tha që bën 30 mijë euro fustani? Janë thjesht spekulime dhe thashetheme.
Këta janë zyrtarë publikë dhe askush nuk e di dëmin real që është bërë.
Nuk mbroj askënd, unë mbroj këtë parim dhe standard që e mbroj në hapësirën publike prej 15 vitesh, se është e pandershme, e padrejtë, spekulative dhe abuzive.
Kjo vjen për një boshllëk në ligjin e procedurës penale që nuk e ka sqaruar këtë gjë dhe një interpretim abuziv që Gjykata e Lartë në vitin 2003 ka dhënë një barazim në statusin mes personit nën hetim dhe të pandehurit.
Por nuk duhet të jetë kështu, është alogjike, e padrejtë. Këtu ka nevojë për ndërhyrje dhe saktësim.
Ndëshkim quhet vendimi penal i formës së prerë. Arresti është një izolim ekstrem për qëllime hetimi.
Nuk mbyllet historia e drejtësisë në Shqipëri, me u arrestua filani.
Është mbushur paraburgimi plot me persona nën hetim dhe shumë pak të pandehur. I pandehuri është i arrestuar, personi nën hetim jo. Kjo duhet qartësuar mirë në ligj.
Këto janë masa që kënaqin turmën, por nuk janë korrekte në ligj.
Krahasuar me standardin që aplikohet sot, Veliajt nuk i është bërë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se gjithë personave nën hetim që janë në paraburgim.
Akuza që nuk janë akuza, por aludime, ua kanë bërë dhe të tjerëve. Por unë them që ky standard nuk është standard i drejtë dhe kushtetues.
Manjani shtoi se parlamenti konsensual, është institucioni legjitim i cili do të duhet të ketë një program të qartë pune, për të bërë dy gjëra themelore, duke përfshirë Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Ai deklaroi se pozita dhe opozita duhet të ulen dhe bisedojnë dhe parlamenti të bëjë një analizë të thellë të sistemit tetë vite pas reformës në drejtësi, për të kuptuar se çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk shkoi.
Mbi bazën e kësaj analize duhet bërë një plan ndërhyrje në ligj, një plan emergjent për të stabilizuar situatën dhe një plan për tu zbatuar në afatgjatë.
Duhet një Kod Penal korrekt. Se për 100 gramë drogë dënohesh me 10 vjet burg. Ndërsa në Greqi për pak më shumë se kaq gramë shpallesh i pafajshëm.



