Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiç për gatishmërinë e ushtrisë të Serbisë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në veri në aksionin kundër kontrabandës.
Në një deklaratë për media, Thaçi ka thënë se kjo është deklaratë populiste. Ai ka thënë se Vuçiç e di që nuk mund të niset drejt Kosovës, duke shtuar se për çdo rast institucionet e Kosovës, përfshirë FSK-në janë në gjendje gatishmërie.
“Është deklaratë populiste. Deklaratë që kryesisht ka opinionin e brendshëm në Serbi. Presidenti i Serbisë e di mirë që s’mund të lëvizë në drejtim të Kosovës. Diçka që është e pamundur dhe e paimagjinueshme dhe ai vet është i bindur, por në çdo rast institucionet e Kosovës, duke përfshirë FSK-në janë në gjendje gatishmërie. Deklarimet populiste nuk janë kërcënime për luftë, por për opinionet e brendshme për të fituar simpati më të madhe në Serbi”, ka thënë Thaçi.
Duke u ndalur tek aksioni në veri, Presidenti tha se janë arrestuar disa persona, e ndër ta edhe një rus, raporton Koha.net.
“Ka edhe një rus të arrestuar, që ishte kamufluar nën petkun e një diplomati për të penguar policinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Policia e Kosovës: Janë arrestuar policë shqiptarë, serb e boshnjak, katër policë të plagosur/ Mediat serbe intensifikojnë propagandën
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, teksa ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të territorit të Republikës së Kosovës, ka thënë se nëse do të eskalojë situata atëherë Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur jetën e serbëve në atë pjesë.
Këto deklarime kreu i shtetit serb i ka bërë gjatë një seance që është duke u zhvilluar në Kuvendin e Serbisë, e ku po diskutohet për Kosovën.
“ Nëse rrezikohet rendi dhe jeta e popullit që jetojnë në veri të Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, ka thënë Vuçiç, shkruan B92
Gjatë kësaj seance, kreu i shtetit serb ka gënjyer duke thënë se Policia e Kosovës ka shtënë në drejtim të njerëzve të pa armatosur.
Sipas tij ky aksion, po bëhet pasi që Kosova po dëshiron të tregojë se sa e madhe dhe sa e fuqishme është, ka thënë Vuçiç
Mediat serbe tashmë kanë nisur shkrimet propaganduese ndaj ngjarjeve në Kosovë, arrestimet që po bëhen në veri. Ata kanë thënë se ushtria e Serbisë tashmë ka nisur autoblindat nga Kraleva.
Mediat serbe raportojnë se Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi ka mbajtur një takim urgjent pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës në Veri.
Thuhet se në takim është vendosur kundërpërgjigja e Serbisë. Blici serb raporton se ushtria e Serbisë ka lëvizur me autoblinda nga kazerma në Kralevë.
Mirëpo, ky aksion i policisë së Kosovës ka nisur nga dje dhe nuk është bërë vetëm në komunat veriore, por arrestime ka pasur edhe në Skenderaj dhe Drenicë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë operacionit policor janë arrestuar zyrtarë policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Përmes një komunikate për media, thonë se operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar, transmeton Gazeta Express.
“Policia e Kosovës, IPK-ja përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thotë Policia e Kosovës.
Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren nga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të involvuar në këto raste.
“Institucionet relevante iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit. Operacioni policor është ende në vazhdim e sipër”, ka shkruar policia e Kosovës në komunikatën për media.
Katër polic janë plagosur gjatë aksionit në Veri e Jug të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.
“Për momentin katër policë janë të plagosur por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa, për gazetën Express.
Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se në vazhdën e arrestimeve që po i bën Njësia Speciale e Kosovës, janë arrestuar edhe disa policë kufitarë në zonën e Leposaviqit.
Ndërkohë, dy nga të arrestuarit në aksionin e veriut tashmë janë dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Arrestohen dhjetëra policë serbë në veri të Kosovës,Vuçiç jep urdhër gadishmërie për ushtrinë serbe, reagon Haradinaj
Një aksion të gjerë ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës. Siç njoftojnë mediat kosovare, nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të nacionalitetit serb.
Ndërkohë deri më tani numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 30. Të gjithë këta dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.
Në mesin e të arrestuarve ka edhe policë të Kosovës (nga fshatrat e jugut të Mitrovicës). Mirëpo, dominojnë policët e nacionalitetit serb. Nga ky aksion ka mbetur i plagosur një polic.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri.
Presidenti i Serbisë, ka urdhëruar të gjitha njësitet e Ushtrisë së Serbisë të jenë në gjendje gatishmërie për një intervenim të mundshëm në Kosovë.
Mediat serbe raportojnë se reagimi i tij vjen pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës që raportohet se ka arrestuar disa pjestarë serbë të policisë në Mitrovicë, Zubin Potok dhe komuna tjera në veri të vendit.
Andaj, Vuçiç ka reaguar menjëherë duke ngritur ushtrinë në gjendje gatishmërie për ndonjë intervenim të mundshëm në Kosovë. Ai gjithashtu po kërkon nga perëndimi të ndalojë Prishtinën.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me operacionin e Policisë të ndërmarrë në pjesën veriore të Kosovës.
Haradinaj thotë se me urdhër të prokurorit, operacioni policor është duke ndodhur në gjithë Kosovën.
Ky operacion sipas kryeministrit është i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
“Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka ftuar serbët e veriut që ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin.
“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.
Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.
Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.
Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, thotë Haradinaj në statusin e tij.



