Ndërsa liderët e NATO-s po përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, planet për zhvillimin e samitit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në dyshim për shkak të kundërshtimit nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s me nivelin e ulët të shpenzimeve të Tiranës për mbrojtjen.
Këtë e kanë bërë të ditur një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me çështjen për agjencinë Reuters.
Sipas burimeve, draft-deklarata e samitit të NATO-s që do të zhvillohet javën e ardhshme në Ankara nuk përmend aktualisht mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht një deklarate të mëparshme që parashikonte zhvillimin e tij në vend.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane anëtare të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan Donald Trump, gjatë samitit në Ankara, se kanë bërë përparim në përmbushjen e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të shmangin përplasjet e hapura me liderin amerikan.
Pasiguria mbi fatin e samitit të NATO-s në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së viteve të fundit për organizimin e samiteve vjetore.
Një vendim i tillë mund të shmangë një përballje potencialisht të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij.
Një nga personat e njohur me diskutimet tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen është i tillë që, nëse NATO do të mbante një samit në vend në vitin 2027, Trump mund të shfaqte pakënaqësi, duke shkaktuar tituj negativë në media.
Qeveria shqiptare deklaroi për Reuters se po “finalizon masat e nevojshme fiskale për të përafruar shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 me objektivat e dakorduara nga aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës”.
“Pasi këto masa të miratohen në ditët e ardhshme, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me sigurinë për vitin 2026 do të arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në përputhje me metodologjinë e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes. Nga kjo përqindje, 2.2% e PBB-së përfaqëson shpenzimet bazë të mbrojtjes, ndërsa 0.4% e PBB-së përfaqëson shpenzime të tjera që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, thuhet në deklaratë.



