Kriza e rritjes së çmimeve në sektorin e hidrokarbureve, por edhe në degë të tjerë ka shtuar pikëpyetjet mbi ecurinë e ekonomisë në muajt në vijim.
Lidhur me këtë në një lidhje skype kryetari i “Pro Eksport Albania”, zoti Edvin Prençe deklaroi se nuk po bëjnë dot llogaritje duke qenë se rritja e karburanteve është një trend në rritje.
Ai evidentoi si problematike edhe sigurimin e lëndës së parë kjo edhe për shkak të konfliktit në Rusi-Ukrainë, ndërsa u shpreh se aktualisht i janë drejtuar Turqisë për sigurimin e saj për shkak edhe të afërsisë dhe uljes së kostove.
Nuk po bëjmë dot llogaritjen sepse kemi një trend rritje të përditshme dhe të karburanteve. Duhet një bashkëpunim dhe me qeverinë për këtë që po ndodh sepse nuk e dimë se kur do përfundojë. Edhe sigurimi i lëndëve të para është kthyer në një problematikë më vete, kjo dhe për shkak të kionfliktit Rusi-Ukrainë.
Kemi vështirësi për sigurimin dhe transportin e lëndëve të para dhe i jemi drejtuar Turqisë si vendi më i afër dhe duke u larguar nga vendet aziatike që kanë kosto të larta edhe për nga largësia. Mbiçmimi i euros mund të çojë në kolaps të prodhimtarisë dhe të shumë bizneseve sepse s’do të arrijnë të realizojnë prodhimin e planifikuar.
Sa i përket vendeve të lira të punës aktualisht janë mbi 20 mijë vende pune të lira në sektorin tonë që kemi mundësi për figura të reja, kjo është një shifër alarmante ku duhet dhe mbështetja e qeverisë pasi shumë njerëz figurojnë të papunë ose marrin asistenca dhe duhet të punojnë për të marrë një pagë.



