Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN se skema mbështetëse ndaj bujqësisë në Shqipëri duhet të jetë 10-fish më e lartë, duke shkuar në 150 milionë euro. Po ashtu ai u shpreh se paketat e deritanishme kanë qenë çoroditëse për fermerët.
Ajo që ngelet për fermerët si subvencion dhe grant është 14-15 milionë euro. Kërkesat janë shumë më të mëdha. Kërkesat më të mëdha të fermerëve janë në lidhje me serat. Blegtoria është një tjetër aktivitet ku kërkesa është shumë e madhe. Ndërtimi i serave është një pjesë tjetër që ka interes. Bujqësia shqiptare ka nevojë për një injektim kapitali shumë më të madh se ai që kemi në dispozicioni. Skema aktuale është për mbijetesë se sa një fond që i jep zhvillim dhe e komercializon bujqësinë shqiptare. Duke parë edhe fqinjët tanë, skema duhet të ishte 10-fish më e lartë, 150 milionë euro duhet të ishte skema”, u shpreh Pilku.
E kemi krijuar edhe vetë këtë lloj situate sepse brenda 4 vjetësh paketat financiare kanë qenë më tepër çoroditëse sesa ndihmëse për bujqësinë. Rimbursimin e kthyem në 6 për qind, pastaj e bëmë zero. Pastaj vendosëm 10 për qind TVSH, të gjitha këto artifica kanë impaktuar. Fermeri gjithmonë mendon se diçka po më mbahet nga puna dhe djersa ime. Nëse shteti s’mund të vendosi një lloj zgjidhjeje, në skemat e vitit 2023 duhet ta mendojë më mirë dhe të ulet me grupet e interesit. Biznesi bujqësor duhet të kaloj në formalizim”, tha eksperti.
Ilir Pilku foli edhe mbi ndikimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, duke u shprehur se do të kemi një rritje 20-30 për qind të çmimeve të importit.
Ne s’kemi marrëdhënie direkt tregtare me Rusinë. Do rritet volumi tregtar drejt Serbisë dhe besoj që kjo do ketë impakt pozitiv. Patjetër do kemi një rritje 20-30 për qind të çmimeve të importit. Do t’i impaktojë xhepat e konsumatorit”, u shpreh ai.



