Romani më i fundit erotik i E.L. James ka shkaktuar reagimin e ambasadorit shqiptar në Londër, Qirjako Qirko. Në librin e saj të fundit, “The Mister”, autorja e “50 hijet e Greit” përshkruan një pastruese shqiptare, viktimë e trafikimit për prostitucion, e cila mrekullohet nga jeta në Britaninë e Madhe.
Kjo ka bërë që diplomati shqiptar në Londër, Qirjako Qirko, të reagojë përmes një interviste në “Sunday Telegraph”, në të cilën shprehet se libri i përshkruan shqiptarët si kriminelë primitivë dhe krijon perceptime negative për ta.
“Kur një informacion i tillë jepet në një libër, krijon një perceptim negativ për vendim tim. Më vjen shumë keq për këtë. Shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund të njohësh, njerëzit më miqësorë”, është shprehur Qirko.
Diplomati shqiptar në Britani thotë se shqiptarët e përfshirë në aktivitete kriminale janë disa individë dhe nuk mund të prishin imazhin e 120 mijë shqiptarëve që jetojnë atje.
Personazhi në librin e E.L. James është Alesia Demaçi, një vajzë shqiptare që punon si pastruese në një familje aristokrate pasi është trafikuar në Britaninë e Madhe. Ajo përballet me presionin e dhunshëm të të atit për t’u martuar me të fejuarin, i cili kërkon që ajo të bëhet “gruaja tipike shqiptare”.
Por Alesia përfshihet në një lidhje me një aristokrat britanik dhe habitet nga smartfonët, që në sytë e saj autorja i përshkruan si “telefonat e zgjuar” apo “kartat magjike” me të cilat tërhiqen paratë nga bankomati.
Libri i E.L. James është fiction-i i radhës në të cilin shqiptarët paraqiten si njerëz të përfshirë në rrjete kriminale.
Pak vite më parë, trilogjia “Taken”, një nga filmat më të ndjekur me protagonist aktorin Liam Neeson, rrëfente historinë e një babai që lufton me një bandë trafikantësh shqiptarë që i kishin rrëmbyer të bijën.



