Në zonën ku ndodhi vrasja e dy kushërinjve shqiptarë dy ditë më parë ka ende frikë. Dy kushërinjtë Lleshaj u vranë në Canegrate, Itali, një zonë ku banonin prej mëse një viti. Mes shumë familjeve që popullojnë zonën ka edhe të afërm të tyre.
“Mbiemri i tyre është shumë i përhapur në Shqipëri, në pjesën malore të veriut të vendit, dhe shqiptarët mes njëri-tjetrit njihen mirë”, shkruan “Il Giorno”.
Dyshimet kryesore lidhur me vrasjen e dyfishtë kanë të bëjnë me rivalitetin e bandave të shpërndarjes së drogës.
Hetimet e deritanishme e kanë përjashtuar mundësinë që organizata mafioze “Ndrangheta” të ketë lidhje me ngjarjen.
“Nuk ka gisht mafia italiane, janë çështje kriminale me gjasë të importuara nga vendi i origjinës, që çojnë në konflikte mes familjeve rivale edhe në Lombardi”, shkruan media italiane.
“I njohim të afërmit e tyre. Janë njerëz të mirë që janë integruar me shoqërinë këtu pa asnjë problem”, thonë banorët e zonës.
Canegrate është një komunitet me shumë të huaj, 13 për qind të të cilëve janë shqiptarë. Pikërisht mes shqiptarëve po kërkohen autorët e vrasjes së dyfishtë.
Rasti të kujton atë të majit 2015, kur në kufirin mes Canegrate dhe San Giorgios u gjetën trupat e pajetë të tre të rinjve shqiptarë, 17 dhe 23 vjeç, që sipas hetimeve ishin goditur nga treni gjatë natës. Kjo ngjarje më pas është arkivuar si aksident tragjik, por që pas ngjarjes së dy ditëve më parë, dyshimet nëse ishte i tillë apo jo janë shtuar.



