
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka komentuar përsëri vendimin për negociatat me BE-në. Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, 28 qershori ishte parashikuar që të ishte mbledhja e Këshillit Evropian dhe në asnjë lloj rrethane nuk ishte parashikuar si dita kur do të nisnin bisedimet për anëtarësim, por dita kur do të merrej një vendim përsa i përket këtij procesi.
Në një intervistë në “5 pyetje nga Babaramo”, Bushati thotë se edhe në rastin e Serbisë dhe në rastin e Malit të Zi, është vendosur tanimë precedent, sipas të cilit duhet të fillojë puna përgatitore para nisjes zyrtarisht të bisedimeve për anëtarësim, çka për hir të së vërtetës nuk ka qenë në zgjerimet e mëparshme.
Bushati deklaroi se ne e lexojmë këtë vendim ekzatësisht si dritë jeshile drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim. “Në rastin se u referohemi dhe precedentëve të mëparshëm, në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, afati kohor te rasti i Malit të Zi, për shembull, ka qenë 6 muaj dhe nuk ka qenë 12 muaj. Në rastin e Serbisë u provua që nga ky vendim siç u mor për Shqipërinë dhe Maqedoninë, iu deshën rreth dy vjet, dy vjet e gjysmë për të shkuar në konferencën ndërqeveritare, që është dhe momenti që simbolizon zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha ai.
Gjatë intervistës, Bushati deklaroi se në asnjë rast çështja Tahiri dhe ajo Xhafaj nuk kanë qenë pengesë për hapjen e negociatave.
Më tej, Bushati ka folur edhe për takimin e Rodos-it, ku ka pasur diskutimin e radhës me ministrin e Jashtëm grek, dhe theksoi se bisedimet vazhdojnë. “Ka një progres të padiskutueshëm, i cili është mbështetur nga Komisioni Evropian”.
Ministi tha se jemi të fokusuar qoft për sa i përket zonave detare, po ashtu edhe dy elementëve të tjerë që kanë lidhje me kufirin tokësor dhe me mirëmbajtjen e piramidave, janë shkëmbyer dhe janë diskutuar detajet e drafteve përkatëse, kemi një dakordësi me palën greke, që të treja këto marrëveshje që kanë një lidhje si me pjesën tokësore, po ashtu edhe me pjesën detare, që mundësisht të kalohen si pjesë të një pakete së bashku.
“Për sa i përket çështjes së detit, se e di që opinioni publik është ndoshta më i interesuari për këtë çështje, duke lënë disi mënjanë dy marrëveshjet e tjera, mund t'ju them që është bërë një progres për sa i përket parimeve mbi bazën e të cilave do të përfundohet kjo marrëveshje, teksti i marrëveshjes dhe besoj se kemi hyrë në një proces pa kthim pas dhe jemi në fazën e finalizimit të një marrëveshjeje”, tha Bushati.



