Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi në një komunikim për mediat, njoftoi zbardhjen e vrasjes së 81-vjecarit Xhemal Meta të ndodhur në fshatin Shëngjin i Vogël, Qafmollë Tiranë më 13 janar.
Shërbimet e komisariatit të policisë nr.4, në 13 janar u njoftuan nga një person se komshiu i tij Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij.
Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se i moshuari mund të ishte vrarë me sende të forta.
Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Grupi i posaçëm hetimor i falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh zbardhën ngjarjen si dhe identifikuan dhe kapën autorin.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13 janar, rreth orës 09:00, Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me çekiç në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.
Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.
Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.Hasa, vajza e autorit të dyshuar në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar çekiç më të cilin autori ka kryer vrasjen .
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i Isuf Hasës për veprën penale “Vrasja me paramendim”.



