Një gjykatës në New York dënoi të premten kompaninë e pronave të paluajtshme me emrin e Donald Trump me një gjobë prej 1.61 milionë dollarë për evazion fiskal.
Kompania u dënua se kishte mashtruar autoritetet tatimore për 15 vjet.
Gjyqtari Juan Merchan i gjykatës penale të Manhatanit dha maksimumin e mundshëm të dënimit sipas ligjit, pasi u shpallën fajtorë dy anëtarë të Organizatës Trump për 17 akuza penale gjatë muajit dhjetor.
Merchan dënoi të martën Allen Weisselberg, i cili punoi për familjen e Trump për gjysmë shekulli dhe ishte ish-shefi financiar i kompanisë, me pesë muaj burg pasi ai dëshmoi si dëshmitar kyç i prokurorisë.
Susan Necheles, një nga avokatet mbrojtëse, deklaroi se kompania e Trump do ta apelojë vendimin.
Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, zyra e të cilit nisi hetimet, po vijon ende një hetim penal mbi praktikat e biznesit të Trump.
Donald Trump po përballet me disa probleme të tjera ligjore, duke përfshirë hetimet në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë dhe përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 në Georgia.



