Kuvendi i Kosovës ka votuar pasditen e vonë të së shtunës qeverinë e re që do të drejtohet nga Ramush Haradinaj.
Ka qenë Lista Serbe që ka plotësuar kuorumin e votave, 62 pro, që sjell në pushtet koalicionin PAN, i drejtuar nga ish-komandantët e UÇK-së.
Vota e partisë që përfaqëson pakicën serbe të Kosovës ka ardhur në minutat e fundit, pas një konsultimi të gjatë të liderëve të saj në Beograd.
Në fjalën e tij në fillim të seancës parlamentare, kryeministri Haradinaj prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, që do të jenë: forcimi i rendit dhe ligjit, anëtarësimi në NATO, integrimi, dialogu me Serbinë.
“Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurtë vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, deklaroi Haradinaj.
Më tej, duke premtuar se do të jetë kryeministri i të gjithëve, përfshirë pakicat, Haradinaj iu drejtua atyre në serbisht.



