
Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Tiranës, për shpërndarje të lëndëve narkotike. Grupi operonte në shkollat e mesme të Tiranës, nxënësve të të cilave u shiteshin doza heroine.
Policia e Tiranës bëri të ditur se ka vënë në pranga: Enri Manaj, 35 vjeç, banues në Tiranë; Marjus Filipi, 34 vjeç, banues në Tiranë; Gloria Hasaj, 26 vjeçe, banuese në Tiranë
Sipas bluve të Tiranës, Enri Manaj dhe Gloria Hasaj janë konstatuar para hyrjes së një shkolle të mesme në Rrugën e Dibrës dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Hasajt, i janë gjetur 5 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit heroinë e ndarë në porcione gati për t’u shitur.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Enri Manajt u gjetën dhe u sekuestruan 39 doza lënde narkotike e dyshuar heroinë.
Sipas njoftimit të policisë, 35-vjeçari Manaj rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”, por kjo nuk është e vetmja vepër penale që rëndon mbi të. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2008 për akuzën e “shfrytëzimit për qëllime prostitucioni”. Ndërsa më herët ai ishte dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.



