
Pas tensionit të krijuar të veri, qeveria e Kosovës ka shtyrë me një muaj zbatimin e reciprocitetit në pikat doganore. Vendimi erdhi pas takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani me ambasadorin amerikan. Dy vendimet e fundqeshorit, që pritej të hynin në fuqi nesër, janë shtyrë më 1 shtator.
Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje.
Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.



