
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Fokusi i takimit të tyre ishte Reforma në Drejtësi, ndërsa nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Soreca shpreh mbështetjen e Bashkimit Europian për vijueshmërin e reformës.
Soreca thekson në mesazhin e tij se tani reforma duhet të konsolidohet, duke bërë që efikasiteti i gjykatave dhe pavarësia e magjistratëve të jenë qëllimet kryesore.
“Sot takova ministrin e sapoemëruar të Drejtësisë, z. Ulsi Manja. Reforma e Drejtësisë duhet të konsolidohet tani, dhe efikasiteti i gjykatave dhe pavarësia e magjistratëve janë qëllimet kryesore. Ne diskutuam rolin e institucioneve të verifikimit dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe punën e vazhdueshme në hartën gjyqësore. Reforma e sistemit të drejtësisë vazhdon me mbështetjen e Bashkimit Europian”, shkruan Soreca.



