Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Hackers”, pasi vidhnin llogaritë në rrjetet sociale të qytetarëve të ndryshëm dhe u kërkonin para për t’ua rikthyer.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni u ndalua P.A 59 vjeç, banues në Tiranë, më profesion mësues, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik“, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumenteve shkollore”.
Gjithashtu u vu në pranga L.P, 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet disamujore ka rezultuar se dy të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u vidhnin llogaritë në rrjetet sociale shtetasve të ndryshëm, të cilëve më pas u kërkonin para, që t’ua rikthenin llogaritë e tyre.
L.P pasi administronte llogaritë në rrjetet sociale, të vjedhura nga përdorues të ndryshëm, i kontaktonte ata që të paguanin para për rikthimin e llogarive, ndërsa P.A tërhiqte nga njësitë e transfertave të parave, shumat e përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit u gjetën disa dokumente shkollore, dëftesa, të dyshuara të falsifikuara, që i posedonte mësuesi P.A, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me një pajisje kompjuterike, 2 aparate celulare, dokumente institucionesh financiare dhe dokumente të tjera të ndryshme.
Nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Kibernetik po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë.



