Në konferencën e përbashkët për media me homologun e Maqedonisë së Veriut Kovaçevski, kryeministri Rama tha se mbledhja mes dy qeverive ka qenë produktive, ku janë firmosur një sërë marrëveshjesh.
Po ashtu kreu i qeverisë tha nisma e "Ballkanit të Hapur" ka dhënë prova të dobishmërisë, pasi janë rritur ndjeshëm eksportet. Rama tha se Shqipëria ka rënë dakord që të ndërtojë Portin e Thatë në Strugë.
Kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi intensiv, si pjesë organike e punës së qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. Kemi dakordësuar edhe 3 nisma të propozuara nga Artan Grubi që kanë të bëjnë me Portin e Thatë në Strugë, hapjen e vendkalimit të ri kufitar dhe Korridorin Tetë. Kemi rënë dakord që sa i takon projektit paraprak të Portit të Thatë, ta marrë përsipër qeveria shqiptare në kuadër të marrëveshjes që ka me kompaninë holandeze. Më vjen mirë që me Maqedoninë e Veriut kemi hedhur themele të forta për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, që të jetë në respekt të plotë të drejtave të qytetarëve tanë, por edhe me mirëqenie. Marrëdhëniet tona bilateriale s’kanë qenë kurrë më mirë. Nisma e Ballkanit të Hapur na ka dhënë prova të dobishmërisë së saj në shifra. Mjafton të shikoni eksportet, kuptoni që ka një rritje, që është kapërcim në trendin e eksporteve në vite. Është shenjë e potencialit për ta zhvilluar më tutje këtë marrëdhënie”.



