
Pjesëtarë të EULEX-it e kanë arrestuar edhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Mediat kosovare kanë raportuar se Haradinaj është arrestuar teksa ishte duke shkuar në një intervistë.
Mësohet se Haradinaj nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, është shprehur Haradinaj gjatë momentit kur hetuesit kanë dashur që ta arrestojnë.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte thënë sot gjatë ditës se veprimi i fundit i Speciales, pas arrestimit të kryetarit Hysni Gucatit, ngre pyetjen se a ka organe shtetërore ndërsa e ka quajtur të pakuptimtë futjen e EULEX-it brenda zyrave të tyre sot.



