Partia Demokratike përcolli të premten një tjetër denoncim nga banorë të lënë pa zgjidhje përballë dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Rasim Shahini, nga fshati Shahin i Shijakut, i cili ka aftësi të kufizuara, i tregoi përfaqësuesit të PD-së Dorjan Teliti, se prej 9 muajsh ka mbetur i pastrehë bashkë me të ëmën 86-vjeçare.
Ai thotë se banesa i ka rezultuar me dëme të rënda dhe është për t’u shembur, mirëpo administratori i njësisë bashkiake i ka thënë që ajo do të shembet e fundit.
“[...] banesa më ka dalë DS4 për t’u prishur. Administratori i Komunës Hardhisht, Xhemali, nuk vjen të na e prishë dhe thotë që: “Shtëpinë tënde do ta prishë të fundit...” Me inat! Unë e kam nënën 86 vjeçe , kam motrën, e kam të sëmurë në dorë, kam gruan të sëmurë, marr 300-400 mijë lekë ilaçe, kam hyrë borxh deri në fyt, kam kredi. Kur vjen puna për të bërë shtëpinë, thotë: “Shtëpia jote do rrijë e fundit, unë jam paraplegjik, nuk lëviz fare, vetëm me karrocë,” – shprehet Shahini.
“Po lahem jashtë… me karrocë jashtë. Hajde verifikojeni, kush të dojë të vijë ta verifikojë. Banja ime është prishur, kur vjen dimri, unë skam nga t’ia mbaj më. Ec e shikoni vetë, e keni parë vetë, unë në çadër nuk rrij dot. Administratori të vijë sa më shpejt në shtëpinë time, të vijë ta shembë, ta bëjë… Na keni bërë me lujt mendsh. Nga t’ia mbaj më, nga të mbytëm? S’kam ku me shku! Vëre dorën në zemër për mua!” – apelon banori nga Shijaku.
Ditët e fundit opozita ka përcjellë për mediat raste të ngjashme të banorëve të mbetur pa zgjidhje përballë dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Të mërkurën ata bënë publik rastin e një familjeje në Thumanë që jetonte në çadër që prej 26 nëntorit të vitit 2019, ndërsa të enjten rastet e dy familjeve nga Rrushkulli i Durrësit.
Prej muajsh opozita ka kritikuar qasjen me vonesa të qeverisë për sa i përket programit të rindërtimit, ndërsa në disa dalje ajo ka vënë në diskutim edhe vetë projektet, duke ngritur dyshimet për afera korruptive apo abuzime me fondet.



