Të dhënat e fundit të Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Itali japin një profil të qartë të pacientit që vret koronavirusi. Gjatë konferencës për shtyp këtë pasdite, presidenti i Istitutit, Silvio Brusaferro, saktësoi se nga 1 266 raste vdekjesh, vetëm dy prej tyre nuk kishin patologji të tjera.
“Ende duhet të analizojmë të dhënat e tyre mjekësore. Të gjithë të tjerët kishin patologji të shumta kronike, shumë më tepër se dy ose tre, veçanërisht diabet, mbipeshë, sëmundje kardiovaskulare”, tha ai.
Po ashtu, mosha mesatare e viktimave që janë shënuar deri tani është mbi 80 vjeç, kryesisht meshkuj.
Vetëm 2 prej pacientëve që kanë humbur jetën ishin më pak se 40 vjeç, por edhe ata kishin kancer dhe sëmundje të tjera të rënda.



