Në mandatin e tretë dhe të fundit Erion Veliaj, është nga personazhet më të komentuara për shkak të dyshimeve se është I përfshirë në disa afera, për të cilat SPAK ka vënë në pranga një mori drejtorësh dhe bashkëpunëtorësh të ngushtë të tij dhe specialist të niveleve tyë ulëta. Prej më shumë se 10 vitesh Veliaj është i akuzuar për disa skandale në Bashkinë e Tiranës, duke nisur me vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, lagjen 5 Maji dhe së fundmi me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Ishte Partia Demokratike që fillmisht drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve, duke lënë Veliajn në plan dytësor.
Megjithatë, akuzat morën një kthesë tjetër, kur u zbulua se Veliaj jo vetëm kishte këmbëngulur për inceneratorin e Tiranës tek Ministria e Financave, edhe pse ish-ministrat Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj kishin refuzuar miratimin, duke shprehur pëlqimin si kryebashkiak tek Ministria e Mjedisit, ndërsa nuk kishte mbledhur as këshillit bashkiak të Tiranës për këtë çështje.
Akuzave ndaj tij, Veliaj iu përgjigj nga një inspektim në inceneratorin e Tiranës, ku rezulton të paktën publikisht të jetë hera e fundit që ta ketë vizituar.
Hapin e parë për ta çuar Veliajn para drejtësisë e ndërmori ish-Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që kallëzoi kryebashkiakun në SPAK për inceneratorin, ndërsa me një fushatë denoncimesh arriti deri tek ngritja e dronit mbi landfill, për të provuar se mbetjet e Tiranës, nuk digjeshin, por depozitoheshin.
Në Parlament, nisi një komision hetimor parlamentar, ku u thirrën një sërë zyrtarësh nga më të lartët, përfshi kryeministrin Edi Rama, kur paralelisht drejtësia po hetonte inceneratorin e Tiranës, dhe shpalli në kërkim administratorët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Në këtë komision hetimor u thirr për të dëshmuar edhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, që u përgjigj kështu.
Megjithatë, goditja e parë për inceneratorin e Tiranës do të vinte në gusht të vitit 2023, kur SPAK vendosi sekuestrimin, duke e hequr inceneratorin prej administrimit nga subjekti privat Integrated Energy BV SPV, por Veliaj nuk përmendej askund.
Në dhjetor, erdhën arrestimet e para. SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste të cilët ishin përgjegjës për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës, mes të cilëve drejtorë të Veliajt në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha e Valbona Ballgjini, por dhe një i afërm i tij si Namik Simixhiu.
Veliaj e përshëndeti sekuestrimin nga SPAK, ndërsa u distancua nga përgjegjësia penale e tyre, pa dhënë shpjegime për rolin e të afërmit të bashkëshortes së tij në këtë çështje.
Akuzat tashmë nuk vinin vetëm nga opozita. Vetë ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i cili për shkak të hetimit nga SPAK për inceneratorët ishte arratisur, tha me zë e fgurë në një intervistë se pronar faktik i inceneratorit të Tiranës ishte vetë Erion Veliaj.
Pak muaj më vonë, falë një kallëzimi të ish-kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Belind Këlliçi, SPAK arrestoi disa drejtorë të tjerë në Bashkinë e Tiranës, mes tyre Mariglen Qato dhe Redi Molla për skemën korruptive me kompaninë 5D, por për opozitën, pronar faktik i kësaj kompanie nuk ishin drejtorët, por vetë kryebashkiaku Veliaj.
Edhe kësaj radhe, kryebashkiaku Erion Veliaj u distancua duke theksuar se përgjegjësia ishte personale, pavarësisht se nuk hezitoi të mbrojë drejtorët e tij, duke përcjellë një mesazh edhe për kryeministrin Rama.
Pavarësisht me vite hetime, SPAK nuk ka njoftuar të paktën publikisht ta ketë thirrur Erion Veliaj për ta marrë në pyetje, ndërsa për dosjen 5D, Gjykata ka kërkuar që të hetohet autoriteti kontraktor që firmosi tenderat, që në këtë rast është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Megjithatë veprimet e SPAK ndaj Veliajt shihen si hezituese, ndonëse denoncimeve publikepër kryebashkiakun iu shtua edhe Ilir Meta.
Veliaj ka shmangur mbledhjen urgjente të këshillit bashkiak të Tiranës, duke refuzuar interpelancën urgjente me këshilltarët e opozitës, auditim të pavarur apo komision hetimor. Zërat për arrestimin e tij shkojnë përtej opozitës, nga parti të futura rishtaz në këshillin Bashkiak si nisma thurje apo Lëvizja Bashkë, e cila akuzon kryebashkiakun si përgjegjësin kryesor për ndotjen alarmante në Tiranë.
Për daljen e Veliajt para drejtësisë bëjnë fjalë edhe këto mesazhe të Lëvzisjes Bashkë të shkruajtura së fundmi në disa rrugë të kryeqytetit.



