Kreu i PD Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat e Degës 12 në Tiranë, sulmoi kryeministrin Rama lidhur me aferën e inceneratorëve.
Kryedemokrati ka ironizuar Ramën, duke e pyetur se si ka mundësi që një politikan që e mban veten për lider global nuk e paska ditur që gjysma e kabinetit ka ngjyer gishtin pas shpinës së tij.
Si ka mundësi mor zoti kryeministër që ti, që i di të gjitha, gjithë çfarë ndodh në Shqipëri, në Ballkan, në Europë edhe në botë, se e mban veten për lider global apo jo, ti nuk e paske ditur që gjysma e kabinetit tënd, gjysma e ministrave paskan, siç thotë vet, paska ngjyer gishtin mbrapa shpinës time. Si qenka kjo punë kështu. Brenda një dite miratohen 17 akte zyrtare, kalohet një vendim i këshillit të ministrave që e firmos kush? Kryeministri apo jo? Dhe ti nuk e dije. Nuk e di ti pas 8 vitesh në pushtet që këtu për të marrë një letër shteti, një qytetari të zakonshëm i duhen javë e muaj sorollatje nga një zyrë në tjetrën”, tha Basha.
Bakshishe, ryshfete dhe prapë rrezikon mos ta marrë. Ndërsa ti për 8 orë pune, në një ditë të vetme, hape ofertat, erdhi vetëm një ofertues, e shpalle fitues, i lidhe kontratën, i bëre gjithë ato dokumente të tjera shtesë dhe i hap rrugën 20 milionë euro paradhënie një njeriu të vetëm për inceneratorin e Elbasanit, pak më tutje se këtu. Dhe kur ne e denoncuam si aferë korruptive të tipit mafioz, me ato të dhëna që kishim, disa për shkak të punës së departamentit tonë anti-korrupsion dhe disa për shkak të denoncimeve të disa zyrtarëve të administratës, çfarë bëri, nuk tha prit do ta hetojmë po të kishte qenë i pafajshëm, duar jashtë apo gisht jashtë siç thotë ky, apo i paditur. Jo! Mori gjithë grupin parlamentar të partisë socialiste. A ju kujtohet apo jo? Gjithë grupin parlamentar të partisë socialiste, e mori e futi atje, te inceneratori i Elbasanit. Tani, ne këtu jemi demokratë, jemi struktura e partisë demokratike. Ne e dimë që kur bëhet fushatë, bëhet fushatë. Dhe fushata na çon kudo. Na çon nëpër sheshet kryesore të qyteteve, ku bëjmë mitingje, na çojnë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, na çojnë nëpër sipërmarrje, na çojnë nëpër sera. Por të bësh fushatë në vend-grumbullim plehrash, unë këtë se kisha imagjinuar. Çfarë e shtynte Edi Ramën ta merrte grupin parlamentar të partisë socialiste dhe ta sillte në një landfilld, një grumbullim plehrash? Përveçse mbrojtjes politike që i bëri kësaj afere? Mbrojtje e pastër politike! Pse? Sepse mendonte se nuk do të vinte dita për të dhënë llogari. Edhe procedurat prandaj i kanë bërë ashtu. Kanë kujtuar se kurrë dikush do të zhbirilonte”, shtoi kryedemokrati.



