
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e zhvilloi protestën e radhës para SPAK-ut, ku ka dorëzuar dy padi për çështjen e Teatrit. Artistët dhe aktivistët e kauzës së Teatrit kërkuan që prokurorët të shqyrtojnë me përparësi padinë e tyre.
Regjisori Robert Budina e cilësoi tentativë të pastër vrasjeje nisjen e shembjes ndërsa aktorët ishin ende brenda.
“Fadroma i ra Teatrit kur ishim brenda, të veprojnë me urgjencë se ishte tentativë për vrasje. Kemi prova dhe filmime. Prokurorët duhet të ndihen të mbështetur se ne do ta çojmë këtë lëvizje në gjithë Shqipërinë. Që mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë kanë detyrën dhe moralin që të hapin procese dhe të shkojnë tutje. Nuk është faji i artistëve që mbrojtën Teatrin Kombëtar që nuk ka sistem drejtësie. Duke qenë se politika na ka vjedhur institucionet dhe drejtësinë jemi të detyruar të thërrasim popullin në fushëbeteje për të mbrojtur demokracinë. Populli është i lodhur vëllezër prokurorë, bëhuni ju të parët që jepni shkëndijën e shpresës. Nëse ju fshihni kriminelët do të ketë një përgjigje mbarëpopullore. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë pa kompromise. E kemi provuar në kurriz, as duam të bëjmë parti dhe as të përfitojmë”, tha ai.



