Kampionët në fuqi të Premier League, Liverpool, sezonin e ri e kanë nisur me zemër në dorë, por me fitore, pasi kundër debutuesve të Leeds u është dashur të derdhin shumë djersë për të marrë tre pikët.
90 minutat përfunduan me rezultatin 4-3 në favor të ‘the reds’, por në tre raste miqtë arritën të barazonin në Anfield, duke treguar se nuk kanë ardhur për vizitë në Premier League. Gjithsesi heroi i përhershëm i Liverpool, Muhamed Salah, shënoi golin e tretë personal dhe të katërtin për ekipin në minutën e 88, duke siguruar edhe tre pikët.
Më herët Arsenal nuk tregoi mëshirë kundër Fulham duke fituar 0-3 në derbin e Londrës, që ishte edhe ndeshja e parë e sezonit në Premier League.



