“Popullsia banuese në Republikën e Shqipërisë më 18 shtator 2023 rezultoi 2.402.113, me rënie prej 420 mijë persona, krahasuar me Censin e 2011. Dendësia e popullsisë së Shqipërisë është 83,6 banorë për km2. Rënia e popullsisë ndjek trendin e konstatuar prej vitit 1990, i cili vjen si fenomen i emigracionit.” konstatohet në raportin e Censit 2023.

Shqipëria ka regjistruar numrin më të ulët të popullsisë Në 5 dekadat e fundit!

Të dhënat e Censit të popullsisë dhe banesave tregojnë se në vendin tonë jetojnë 2.4 milion banorë, ku 15 mijë prej tyre janë shtetas të huaj.

Popullsia është tkurrur me 14.8% ose 420 mijë banorë në 12 vitet e fundit, krahasuar me 10.7% që ishte tkurrja një dekadë më parë dhe 3.2% në periudhën 1989- 2001, periudhë që njihet për eksodin e shqiptarëve pas hapjes së kufijve nga rënia e regjimit komunist.

Përpara këtyre viteve popullsia e Shqipërisë ishte në rritje konstante, 2.6 milion banorë në vitin 1979, 3.2 milion në vitin 1989, 3.1 milion në vitin 2001 dhe 2.8 milion në Censin e zhvilluar në 2011-n.

“Rënia e popullsisë është mjaft e madhe, në nivelin 15%.” thotë ekonomisti Artan Hoxha.

“Rënia e popullsisë është një faktor shumë iI rëndësishëm për Shqipërinë, i cili do të ketë ndikim dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Shkaqet e rënies demografike janë të lidhura me dy faktorë kryesorë: emigrimin dhe rënien e lindjeve.” thotë analisti Neritan Sejamini.

Ndër vite numri i shqiptarëve të larguar mbetet i lartë. Përgjatë periudhës 2011 – 2023 rezultojnë 488 mijë emigrantë të përhershëm, pa llogaritur ata sezonalë.

“Po ikin njerëz që duan t’i shërbejnë vetes dhe familjes dhe kjo lidhet me vendime familjare ku diskutohet e ardhmja e fëmjëve dhe ajo që i mungon vendit: arsimi, kujdesi shëndetësor, punë dinjtoze dhe meritokraci.” sqaron Eduart Gjokutaj, ekspert i qendrës Altax.

Në dekadën 2001-2011 kanë emigruar jashtë 481 mijë shqiptarë dhe mes viteve 1989-2001, 371 mijë. Ritmi i rënies së popullsisë për shkak të emigrimit, vijon të mbetet i lartë me mesatarish 40 mijë banorë që largohen në vit, shënuar rekord në 12-vjeçarin e fundit. Mesatarisht 1.5% e popullsisë në vit largohet nga vendi, shifër e cila tregon se emigrimi zë përmasat e një eksodi.

Sipas të dhënave të Regjistrit Civil, popullsia e regjistruar në Shqipëri në fund të vitit 2023 ishte 4.6 milion njerëz dhe nga këta, 2.4 milion jetojnë në vend sipas rezultateve të Censit. Afërsisht 2.2 milion shqiptarë ndodhen jashtë kufijve pa llogaritur këtu fëmijët e emigrantëve që nuk janë regjistruar në Shqipëri, të dhëna që mund të përmbysin raportin e shqiptarëve që janë jashtë përkundrejt atyre që banojnë brenda vendit.

Në 12 vitet e fundit, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian është 208 mijë. Viti 2015 kishte numrin më të lartë të kërkesave për marrjen e azilit që shtetas shqiptarë kanë aplikuar në Bashkimin Europian, me 64 mijë të tilla, ndërsa numri ka ardhur duke u reduktuar vitet e fundit në afërisht 10 mijë kërkesa në vit.

Tashmë sytë e një pjese të mirë të shqiptarëve janë drejtuar nga Britania e Madhe, shtet ku çështja e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria ka dominuar vitet e fundit dhe debatin politik. Në vitin 2022 u depozituan 14500 kërkesa për azil nga shqiptarët, trend që ka mbetur i njëjtë dhe gjatë vitit të shkuar.

Faktori më problematik që lidhet me valën emigruese, është se tashmë nuk po largohen më kategoritë në nevojë, por shtresa e mesme dhe të rinjtë!

“Popullsia e Shqipërisë nisi të zvogëlohet që prej vitit 1990, i cili shënoi një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë. Gjatë periudhës midis censeve 2001-2011, vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria, një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Ky trend emigracioni qëndron pothuajse i njëjtë me mesatarisht 50 mijë emigrant në vit.” thotë INSTAT.

Në ritmet demografike të shtesës natyrore të popullsisë, ku elementi kryesor që duhet ta mbajë këtë tregues pozitiv është që numri i lindjeve të kalojë atë të vdekjeve, shohim një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve.

Nëse një dekadë më parë, lindjet në Shqipëri ishin mesatarisht 35 mijë në vit, dekadën e fundit lindjet mesatare janë ulur 22 mijë. Nga ana tjetër variabla e numrit të vdekjeve mbetet konstante me afërsisht 20 mijë vdekje në vit një dekadë më parë me 24 mijë gjatë dy viteve të fundit. Përjashtim bëjnë periudhat e pandemisë së Covid-19 me 27 mijë vdekje në vitin 2020 dhe 30 mijë në vitin 2021.

“Në dekadën 2011 - 2023 rënia e lindjeve është 35%, ndërssa në 2001-2011, rënia është 15%. Kjo nuk shpejgohet, kjo rënie me normë dyfish e lindshmërisë.” thotë Artan Hoxha.

Pasqyra më e rëndë demografike që i ka ndodhur Shqipërisë në 30 vjet demokraci është pema e moshës së popullatës. Nëse më parë mosha mesatare në vendin tonë i ngjante një piramide, tashmë po ndodh e kundërta, po kthehet në një piramindë të përmbysur.

Numri i të rinjve po pakësohet gjithnjë e më shumë dhe ka një rritje të shpejtë të popullsisë së moshuar. Mosha mesatare në vitin 2023 është 42.5 vjeç nga 35.2 vjeç që ishte në vitin 2011.

“50% e popullsisë është mbi moshën 60 vejç, mosha e e pensionit është 62 për gratë dhe 65 për burrat. Ne kemi gjysmën e popullsisë që po i mbaron kontributi në ekonomi.” shton Sejamini.

Këto të dhëna hapin sfida të mëdha për politikat dhe reformat që duhet të marrin institucionet: duke nisur që me skemën e pensioneve dhe paketat e përkujdesit shëndetësor dhe social.

Skema e pensioneve mbështetet mbi bazën e një piramide ku të rinjtë duhet të punojnë dhe të paguajnë sigurimet shoqërore, të cilat shkojnë për të financuar pensionet e më të moshuarve, brezit që sot punon, do t’ia paguajë pensionin brezi që ka lindur 20 vjet më parë dhe që pritet të bëhet aktiv në tregun e punës.

Edhe pse një popullsi me moshë të re në vitet 90’ dhe 2000’, skema e sigurimeve shoqërore ka qënë gjithnjë defiçitare, për shkak të informalitetit në treg dhe papunësisë së lartë. Nga kontributet që mblidheshin për të financuar pensionet, gjysma e nevojave është financuar nga taksat e tjera dhe në disa raste dhe përmes borxhit publik. Në vitin 2014 qeveria reformoi skemën e pensioneve duke rritur moshën e daljes në pension dhe shumën e kontributeve që paguhen, por ende dhe sot, fondi për të mbështetur dhënien e pensioneve është defiçitar dhe subvencionohet nga buxheti i shtetit. Vitin e shkuar qeveria dha 456 milion euro për të përballuar defiçitin e skemës, 574 milion euro janë paguar në vitin 2022 dhe 531 milion në vitin 2021. Për 5-mujorin e parë të këtij viti, skema e pensioneve rezulton defiçitare me 124 milion euro. Nëse mbi këto numra shtohet dhe deficti i kontributeve të sigurimit shëndetësor, vlera arrin 900 milion euro dhe në vite të caktuara ka kapur shifrën 1 miliard euro.

“Kjo situatë do të përkëqësohet dhe statusi social i personave në pension do të përkeqësohet, ndaj do të kërkohet patjetër reformë në skemën e sigurimeve. Ajo çka duhet bërë, duhet ringjallur shpresa, sepse mungesa e shpresës dhe mundësive janë arsyet e emigrimit. Kryesorja është siguria juridike, e punës dhe cilësia e jetesës dhe mënyrës se si shoëria menaxhohet në tërësi.” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

Nëse të dhënat krahasohen me rajonin, rezulton se Shqipëria gjatë kësaj dekade ka nivelin më të shpejtë të moshimit të popullsisë në të gjithë Ballkanin dhe Europën. Nga një vend me popullsi të re, tashmë pas dy dekadave, po konsiderohemi një vend ‘i plakur’ duke u përballur me sfidat që kanë prej vitesh vendet e zhvilluara.

Por në ndryshim nga këto vende, potenciali ekonomik për të përballuar sfidat që na dalin me gjetjen e fuqisë punëtore, mbajtjes në këmbë dhe fuqizimit të sistemit shëndetësor apo përkujdesit social dhe rritjes së efiçencës të krahut punës, për ne drita në skenarin e errët ku kemi hyrë është më e vështirë të gjendet.

Më demoralizues është fakti që tashmë po largohet truri. Varësia e popullsisë është tashmë mbi moshën e vjetër ku për herë të parë, të rinjtë kanë përqindje më të ulët në popullsi se të moshuarit.

“Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0 përqind nga 30,4 përqind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve, pësoi rritje në 30,4 përqind nga 16,7 përqind në 2011.” thotë INSTAT.

Politikat tashmë duhet të fokusohen në ndaljen e largimeve dhe duhet të jenë të menjëhershme. Por vëmendja politike për këtë shqetësim të madh strukturor ka qënë pothuajse zero!

“Sa më pak të kesh banorë, aq më pak prodhon, sidomos për vende si Shqipëria që kanë modele ekonomike jo të prirua drejt teknologjisë. Rënia e fuqisë punëtore është domethënse.” thotë Sejamini.

Arsimi, shëndetësia, forcimi i shtetit ligjor, siguria civile, juridike, cilësia se mjedisit dhe ulja e korrupsionit janë disa elementë të cilët mund të veprojnë për të ulur rrjedhjen e shqiptarëve nëpër botë. E për të ndryshuar këto probleme kërkohet vëmendje e menjëhershme, vullnet përtej propagandës që prodhon politika, kohë dhe durim.

Të dhënat e fotografuara nga Censusi janë demoralizuese për një tjetër aspekt, atë të kërkesës së llogarisë për instituicionet dhe ndryshimin me votë të qeverisjes. Sot nuk janë më të rinjtë që dominojnë vendin dhe mund të udhëheqin vullnetin e popullit për të përcaktuar fatin politik, shtresa që kanë idetë, forcën dhe vizionin për ndryshimin.

“Është një dramë demografike sepse kësaj shoqërie i është reduktuar deri në nivel kritik pesha e të rinjve, janë ata që kanë energjinë, afësëinë, idetë dhe përkushtimin.” thotë Artan Hoxha.

Të dhënat e popullsisë tregojnë se dhe pjesëmarrja në votime e shqiptarëve që jetojnë në vend është në nivele të larta, mesatarisht 65% e popullsisë korrente, ndaj që të ketë një qasje më të gjerë ndaj ndryshimit dhe kthim të emigrantëve në Shqipëri, duhet të nisë sa më parë afrimi i tyre duke u dhënë të drejtën e votës. Një të drejtë që e kanë me Kushtetutë, por që s’ka patur vullnet politik për ta zbatuar, nga asnjë forcë kryesore qeverisëse apo opozitare.

“Po nuk e nisëm me të drejtën e votës së emigrantëve, nuk kemi bërë asnjë. Është më i vështirë kthimi i tyre apo thitja e kapitalit që ata kanë për investime në vend.” shton Hoxha

Censusi 2023 tregoi një realitet të ri të Shqipërisë, shumica e komunitetit jeton në zonat urbane dhe një e treta e popullsisë është e përqëndruar në qarkun e Tiranës. Rrethi Tiranë-Durrës-Elbasan ka të përqëndruar më shumë se gjysmën e banorëve të vendit.

Popullsia në Qarkun e Tiranës është e vetmja që rezulton e rritur, por jo në shifra domethënëse, 9148 banorë në 12 vjet ose mesatarish 762 banorë të rinj i janë shtuar çdo vit qarkut kryesor të vendit.

Pavarësisht kësaj, vihet re një dukuri që dhe rrethinat e Tiranës janë duke u afruar drejt qytetit, pasi si bashki Tirana është rritur me 40 754 banorë që nga viti 2011, ose 3396 qytetarë i janë shtuar kryeqytetit çdo vit.

Sinkron “Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare, 31,6 %, banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 % ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 dhe 2,5 % të popullsisë respektive.” konstatohet në rezultatet e Censusit.

Boshatisjen më të madhe në numër e ka patur dekadën e fundit qarku i Fierit me 69 mijë banorë më pak, i ndjekur nga Elbasani me 63 mijë dhe Shkodra me 60 mijë. Zvogëlimi i popullsisë banuese në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë ka prekur më së shumti shkodrën, ky 40% e atyre që banonin në këtë qytet nuk janë dhe Kukësi dhe Lezha që kanë patur një tkurrje përkatësisht në masën 37.5 dhe 35%.

Një pjesë e bashkive të vendit rrezikojnë tashmë pas rezultateve të Censit rikompozimin edhe njëherë të hartës administrativo-territoriale për shkak se numri i banorëve të tyre është zvogëluar ndjeshëm. Bashkitë me numrin më të vogël të popullsisë janë Pusteci, Libohova, Këlcyra, Fushë-Arrëzi, Tepelena, Memaliaj, Delvina, Puka, Kolonja dhe Përmeti.

“Këto të dhëna duhet të vlejnë për një rishikim të hartës terriotriale administrative që të ketë shërbime më të mira dhe të jenë më efektive si bashki. Të paktën duhet të kishte një pakësim me 35% të numrit të bashkive.” thotë Eduart Gjokutaj.

Prirja drejt urbanizimit është një tjetër element që kërkon politika për t’i ardhur në ndihmë komuniteve. Fshatra dhe qytete të tëra po pakësohen dhe mbase po shuhen.

Por nga ana tjetër, urbanizimi ka sjellë përmirësim të kushteve sociale të popullsisë në Shqipëri, ku sipas rezultateve të censusit të fundit, numri i anëtarëve në familje është zvogëluar në 3,2 nga 3.9 anëtarë në vitin 2011 dhe të ardhurat mesatare për frymë janë rritur.

“Nuk mund të jetosh në fshtartat e thellë kur nuk ke infrastrukturë dhe shërbime, kjo strukturë ra, me rënien e komunizimit. Dhe urbanizimi tregon zhvillim.” thotë Neritan Sejamini.

96% e familjeve zotërojnë televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe, më shumë se 74 përqind kanë sistem fizik të lidhjes së internetit dhe afro gjysma e popullsisë kanë kompjuter ose laptop.

“Njësitë ekonomike familjare në Shqipëri zotërojnë më së shumti pajisje afatgjata kryesore si: televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe dhe më shumë se 74% kanë sistem fizik të lidhjes së internetit.” tregon Censi 2023.

Censi i banesave dha një fotografi, që politikat e urbanizimit nuk kanë dashur të shohin. Një në tre shtëpi në Shqipëri është e pabanuar nga një në pesë që ishte ky raport 12 vjet më parë. 356 mijë njësi banimi janë bosh, ku dominojnë apartamentet në pallate, të cilat kanë patur një vrull të madh ndërtimi dekadën e fundit.

“Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726 mijë, 67% banesa të pabanuara, duke vlerësuar 33% përqind banesat e zakonshme të pabanuara. Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3% për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4% për banesat në pallate.” thotë INSTAT.

Të dhënat e censit sugjerojnë se stoku më i lartë i ambienteve të pabanuara është për njësitë pallat me 170 mijë, të ndjekura nga shtëpitë individuale me 148 mijë dhe banesa komunitare me 16 mijë.

“Ato janë rezultat i dy faktorëve, i pastrimit të parave të krimit kryesisht me burim trafikun e lëndëve narkotike dhe i vizionit të kryeministrit që ka prirjen të ndërtojë kudo ndërtesa të larta.” sqaron Sejamini.

“Ka individë dhe firma që kanë mbi 100 aparatmente dhe nuk paguajnë taksa. Në një vend normal duhet të ishte evituar stoku dhe me politikë taksimi. Nuk mund të mbash një pasuri që nuk prodhon, nëse nuk e shfrytëzon, jepja atij që e shfrytëzon. Dhe kjo bëhet në funksion të grupeve të interesit, oligarkëve dhe investitorëve të dyshimtë.” shprehet Preçi.

Gjatë 12 viteve të fundit autoritetet kanë miratuar 12.3 milion m2 për sipërfaqe ndërtimi për rezidenca dhe shumica e tyre, 75%, është e përqëndruar në Tiranë. Mesatarisht në kryeqytet janë miratuar çdo vit 766 mijë m2 katror sipërfaqe për të ndërtuar, çka i shton tregut një ofertë prej të paktën 7600 apartamente në vit, kur numri i banorëve të rinj që i janë shtuar Tiranës është 3396 të cilët nuk përbëjnë më shumë se 1200 familje në vit.

“Kemi një situatë që ka tiparet e një fllukse, ndërto më shujmë se nevoja dhe kërkesa. Gjithë këto ndërtime mund të mbetin bosh, por kanë kushtuar dhe blerësit dhe investitorët kanë hedhur para, çka i ekspozon në rrezik.” sqaron Artan Hoxha.

Ndërtimi me ritme të larta dhe pa iu përgjigjur një kërkese reale që vjen nga tregu, i shoqëruar me rritje çmimesh, duket se do të përforcojë sfidën për autoritetet: kthimin e qytetarëve dhe stimulimin e lindshmërisë, por dhe rishikim i politikave në miratimin e lejeve, të cilat duhet të mbështeten mbi nevojat reale të strehimit dhe kërkesës së tregut.

“Kapitalet vërtet janë aty, por nuk i shërbejnë ekonomisë sepse nuk vihen në funksion. Por edhe kur vihen në funksion i shërbejnë atyre individëve të cilët pasurohen dhe më shumë, duke përfituar nga informaliteti.” shton Eduart Gjokutaj.

Vonesat në procesin e Censusit, publikimit të të dhënave, apo kontestimit të tij, nuk duhet të jenë justifikime dhe për një reflektim të vonuar.