Rrënojat e një fshati grek që qëndronte i zhytur në ujë për dekada janë rishfaqur pasi temperaturat rekord shkaktuan tharjen e pjesshme të një rezervuari të madh.
Banorët e fshatit Kallio u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre më shumë se 40 vjet më parë për t'i hapur rrugë digës Mornos në Greqinë jugore, e cila furnizon me ujë kryeqytetin, Athinë.
Megjithatë, kushtet e thatësirës në muajt e fundit bënë që nivelet e ujit të rezervuarit të bien në mënyrë dramatike duke zbuluar se çfarë kishte mbetur nga disa shtëpi dhe një shkollë.
Është vetëm hera e dytë që nga braktisja e Kallios që fshati shihet, sipas një ish-banori. Hera e parë ishte në vitet 1990 gjatë një periudhe tjetër thatësire.
Fshati përbëhej nga rreth 80 shtëpi, një kishë dhe një shkollë. Nivelet e ujit të rezervuarit Mornos kanë rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit për shkak të kushteve të thatësirës në Greqi.
Greqia përjetoi qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar këtë vit dhe operatori shtetëror i ujit EYDAP tha se nivelet e ujit në digën e Mornos ishin ulur me 30%.

Rezervuarët e tjerë që furnizojnë me ujë rajonin e Atikës, që përfshin Athinën, kanë regjistruar gjithashtu një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit.
Me uljen e nivelit të rezervuarëve, autoritetet greke u kanë bërë thirrje 3.7 milionë njerëzve që jetojnë në rajon të mos e shpërdorojnë atë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi këtë javë se Greqia duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur burimet ujore. “Nuk e kemi luksin të shpërdorojmë ujë...në një kohë kur e dimë me siguri se do të kemi më pak”, tha ai.




