Gjykata e Krujës ka lënë të lirë këtë të martë ish kreun e bandës së Durrësit, Endrit Dokle.
Endrit Dokle, kishte marrë dënim me burgim të përjetshëm për krime të rënda të kryera në kuadër të të ashtuquajturës Banda e Durrësit.
Ai ishte i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Por gjatë proceseve gjyqësore të mëvonshme, gjykata e kishte konvertuar dënimin nga i përjetshëm në 25 vite burg.
Prokuroria e Krujës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë për lirimin nga burgu të ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle.
Prokuroria thekson në reagim, se ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së Dokles për lirimin me kusht, duke argumentuar se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma.
Më tej, thuhet se prokuroria ka kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares së çështjes, pasi i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të Dokles, ndërsa njofton se do të ankimojë vendimin brenda afatit ligjor.
Njoftim në lidhje me procesin gjyqësor për kërkesën e të dënuarit Endrit Dokle
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesmarrëse në këtë proçes dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.
Endrit Dokle, anëtar i ‘Bandës së Durrësit’, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.
Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit.
Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e ‘Bandës së Durrësit’ përdornin edhe vrasës me pagesë.



