Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO) në raportin e publikuar sot konstaton se në Shqipëri, kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe këshilltarëve të tyre politikë, dhe policia, është gjithëpërfshirës, por ende tepër kompleks.
Një nga elementët specifikë në të cilët ndalet raporti është edhe Illyrian Guard, shoqëri private e sigurisë, e cila funksionon si e tillë prej gati dy vitesh. Në raport ngrihen dyshime të forta lidhur me korrupsionin në mënyrë të veçantë te tenderat dhe punësimet nepotike.
“GET ka dyshime të forta rreth krijimit të Illyrian Guard. Publiku ka ngritur shqetësime për sa i përket lidhjes së kontratave të prokurimit dhe nepotizmit në punësimin e personelit. Për më tepër, krijimi i një shoqërie tregtare e cila është 100% në pronësi të shtetit - dhe për të cilën shpenzohen paratë publike - me atribute në fushën e rendit dhe sigurisë publike, që funksionon nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme, por pa garancitë ligjore të transparencës, integritetit dhe pa mekanizmin e parandalimit të korrupsionit që zbatohen në zyrat e shtetit, ngre shqetësime serioze në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet në raport.
GRECO rekomandon që punonjësit e Illyrian Guard t'u nënshtrohen të njëjtave masa ligjore dhe rregullatore (përfshirë rregullat e zbatueshme të sjelljes dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik) si edhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Por në raport thuhet se autoritetet shqiptare e kanë kundërshtuar një rekomandim të tillë, duke u përgjigjur se Illyrian Guard nuk kryen detyra policore, që procedurat e ndërmarra nga ajo bëhen në përputhje të plotë me rregullat e prokurimit publik dhe që rekrutimi i personelit është kryer me procedurë të hapur, duke respektuar legjislacionin dhe procedurat e rekrutimit në vend.
Raporti shpreh shqetësimin se pa një rregullim ligjor, Illyrian Guard dhe shoqëri të tjera të sigurisë mund të bëhen "strehë" për punonjësit e policisë që largohen nga policia për shkak të çështjeve të integritetit - ose për të tjera arsye.
Për këtë, raporti i referohet një deklarate të ministrit të Brendshëm, sipas të cilit “burimi kryesor i rekrutimit të personelit për Illyrian Guard do të jetë Policia e Shtetit. Ka shumë punonjës me përvojë në Policinë e Shtetit të cilët, për një arsye ose një tjetër, nuk kanë pasur ecuri në karrierë.”
Edhe pse autoritetet shqiptare e kanë hedhur poshtë këtë si mundësi, raporti thekson se kriteri i integritetit duhet të zbatohet në mënyrë rigoroze dhe t'i nënshtrohet mbikëqyrjes.
Illyrian Guard është krijuar në vitin 2019, me VKM 177 të 4 prillit 2019. Illyrian Guard, e cila është 100% në pronësi të shtetit dhe menaxhohet nga Ministria e Brendshme. Ajo ofron shërbime të paguara për palët e treta në fushën e rendit dhe sigurisë publike.



