
Duke nisur nga sot, qytetarët do të kenë në qarkullim prerje të reja të kartëmonedhave. Banka e Shqipërisë ka ndryshuar serinë e kartëmonedhave që qarkullojnë në treg, duke hedhur gradualisht 6 prerje të reja.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka shpejguar se në kartëmonedhat e reja siguria është rritur dhe falsifikimi i tyre është shumë i vështirë.
“I kemi rritur mjaftueshëm elementët e sigurisë për të bërë të vështirë falsifikimin e kartëmonedhave. Ato janë të sigurta për qytetarët, pasi kanë elementë bashkëkohorë të sigurisë. Po t’i shihni si filli i sigurisë dhe holograma janë element bashkëkohore. Kartëmonedha 200 lekë do të ketë material të veçantë plastik polimeri, ndërsa kartëmonedha 5 mijë lekë, e cila do të hidhet më datë 30 shtator, ka elemente sigurie të shtuar dhe një pamje më moderne. Vitin që vjen, do hedhim kartëmonedhën 1 mijë lek dhe 10 mijë lekë dhe në 2021 do të hedhim në qarkullim kartëmonedhën 2 mijë lek dhe e fundit në hedhjen në qarkullim do të jetë kartëmonedha 500 lekë, e cila do të hidhet në vitin 2022″, tha Sejko në një intervistë për “Neës 24”, me 21 shtator.
Vendimi për hedhjen graduale të kartëmonedhave të reja është marrë pasi aktualisht Banka Qendrore ka stok kartëmonedhash.
Ndonëse në 30 shtator do të hidhen në qarkullim kartëmonedhat e reja 200 dhe 5 mijë lekë, Banka e Shqipërisë thotë se kartëmonedhat ekzistuese do të vijojnë të përdoren krahas atyre të rejave, duke u hequr nga tregu gradualisht.


Seria e re e kartëmonedhave shqiptare përbëhet nga 6 prerje: 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 2000 Lekë, 5000 Lekë dhe 10000 Lekë. Hedhja në qarkullim e kësaj serie planifikohet të bëhet gradualisht duke nisuar nga sot me daljen në treg të kartëmonedhave 200 dhe 5000 lekë dhe për monedhat e tjera gjatë muajve në vijim.



