
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është marrë vendim për trajtimin dhe mbulimin e shpenzimeve financiare të personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të armatosura të republikës së Shqipërisë, gjatë kohës që emërohen me detyrë jashtë vendit.
Në vendim thuhet se ky vendim zbatohet për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vetëm në rastet kur në strukturë parashikohet përfaqësimi i barasvlershëm me gradat e personelit ushtarak, që emërohen me detyrë jashtë vendit dhe ushtrojnë detyrën si rezidentë në një shtet të huaj,
Më konkretisht për misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë; përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s; stafin ndërkombëtar, stafin ushtarak ndërkombëtar, strukturën e komandës, strukturën e forcës, agjencitë dhe qendrat e NATO-s dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Ndër të tjera thuhet se bashkëshorti/ja i/e personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfiton pagë mujore në vlerën 50% të pagës së pozicionit të punës, grada “nëntetar”, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve që shërbejnë me shërbim jashtë vendit.
Paga mujore fillon pas paraqitjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes, nga titullari i misionit ose postit të vërtetimit të shoqërimit të personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit, nga bashkëshorti/ja në detyrë, në vendin pritës.
2.1. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet kur bashkëshorti/ja e ushtarakut trajtohet me pagesë papunësie, sipas legjislacionit në fuqi, i cili/e cila vazhdon edhe gjatë kohës në mision.
VENDIM
PËR
TRAJTIMIN DHE MBULIMIN E SHPENZIMEVE FINANCIARE TË PERSONELIT USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, GJATË KOHËS QË EMËROHEN ME DETYRË JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “i”, e 3, të nenit 7, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
KREU I
FUSHA E ZBATIMIT
1. Ky vendim zbatohet për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vetëm në rastet kur në strukturë parashikohet përfaqësimi i barasvlershëm me gradat e personelit ushtarak, që emërohen me detyrë jashtë vendit dhe ushtrojnë detyrën si rezidentë në një shtet të huaj, në:
a) misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë;
b) përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s;
c) stafin ndërkombëtar, stafin ushtarak ndërkombëtar, strukturën e komandës, strukturën e forcës, agjencitë dhe qendrat e NATO-s;
ç) organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
2. Për efekt të këtij vendimi, familjarë të personelit ushtarak dhe civil, që emërohen me detyrë jashtë vendit, janë bashkëshorti/ja, fëmijët, si dhe persona të tretë, në kujdestari, të cilët shoqërojnë personelin në detyrë.
KREU II
TRAJTIMI DHE MBULIMI I SHPENZIMEVE FINANCIARE PËR PERSONELIN USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
1. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për sigurimin e jetës së personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe të familjarëve të tyre, në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë. Sigurimi i jetës do të mbulohet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë.
1.1 Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi, sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat kur:
a) në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme;
b) në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqësuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën.
1.2 Procedurat e përzgjedhjes së shoqërive të sigurimit kryhen nga Ministria e Mbrojtjes dhe i nënshtrohen legjislacionit shqiptar në fuqi për prokurimin publik.
2. Personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe familjarët shoqërues të tyre kanë të drejtë që, për raste urgjencash të jashtëzakonshme, të cilat vënë në rrezik shëndetin e tyre, të mjekohen në vendin pritës, me miratimin e eprorit direkt dhe sipas rregullave të strukturës ku bën pjesë, kur për një gjë të tillë nuk është parashikuar sigurimi shëndetësor. Në këtë rast, shpenzimet përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.
3. Gjatë ushtrimit të detyrës, personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfiton trajtim financiar të posaçëm, për mbulimin e shpenzimeve për:
a) transport personal dhe të familjarëve shoqërues nga Republika e Shqipërisë në vendin e emërimit dhe nga vendi i emërimit për në Republikën e Shqipërisë, në momentin e marrjes dhe të përfundimit të detyrës;
b) transport të sendeve dhe orendive personale në momentin e emërimit dhe përfundimit të detyrës. Transporti i sendeve dhe orendive personale bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, deri në masën 7,5 m3 për çdo anëtar të familjes, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje. Kur transporti do të kryhet drejt një vendi tjetër jashtë Republikës së Shqipërisë, për shkak riemërimi, personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, ka të drejtë të kryejë blerje nga operatorë ekonomikë të ndryshëm, brenda fondeve buxhetore të vëna në dispozicion për kryerjen e shpenzimeve. Blerja kryhet pas marrjes së jo më pak se të 3 (tri) ofertave nga operatorë ekonomikë të ndryshëm. Ofertat e operatorëve ekonomikë dërgohen në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bën përzgjedhjen dhe miraton ofertën më të përshtatshme;
c) qira banese/zyre, sigurim banese, pajisje banese/zyre dhe kancelari;
ç) energji elektrike, ujë, telefon fiks, internet, gaz dhe ngrohje e banesës/zyrës;
d) një veshje zyrtare civile;
dh) blerje dhe sigurim automjeti zyrtar;
e) parkim, mirëmbajtje, karburant dhe taksa të ndryshme për automjetin zyrtar;
ë) ceremoni zyrtare dhe pritjeje të personelit ushtarak dhe civil në vendin pritës;
f) organizimin e aktiviteteve publicitare, në interes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
g) transport, fjetje, dieta ditore, taksë aktiviteti dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme për udhëtime jashtë territorit të vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes;
gj) transport, dieta ditore, taksë aktiviteti dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme, si dhe për fjetje për aktivitete që organizohen brenda vendit pritës, mbi 200 km nga vendqëndrimi i përhershëm, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes.
3.1 Ministri i Mbrojtjes përcakton me urdhër, periodikisht, kushtet kryesore të qiramarrjes për banesë/zyrë, si dhe listën e pajisjeve të nevojshme për ambientin e banimit/zyrës, në përputhje me tregun e pasurive të paluajtshme në vendin pritës dhe nevojat për prezantim.
3.2 Specifikimet dhe parashikimet e veçanta në lidhje me përballimin e shpenzimeve, të përmendura në këtë pikë, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes.
4. Personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, ka të drejtë të kryejë blerje nga operatorë ekonomikë të ndryshëm, brenda fondeve buxhetore të vëna në dispozicion për kryerjen e shpenzimeve, të shërbimeve/mallrave, të përmendura në shkronjat “c”, “dh”, “e” dhe “g”, të pikës 3, të këtij kreu. Blerja kryhet pas marrjes së jo më pak se të 3 (tri) ofertave nga operatorë ekonomikë të ndryshëm. Ofertat e operatorëve ekonomikë dërgohen në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bën përzgjedhjen dhe miraton ofertën më të përshtatshme.
5. Pagesa e komisioneve bankare për të gjitha veprimet bankare për trajtimin dhe mbulimin e shpenzimeve financiare të personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit, të përmendura në këtë vendim, mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes.
6. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, për raste të veçanta për personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe familjarët shoqërues, Ministria e Mbrojtjes mbulon vetëm shpenzimet e udhëtimit për kthimin në atdhe dhe rikthimin në shtetin ku është emëruar. Raste të veçanta, në kuptim të kësaj pike do të konsiderohen rastet e fatkeqësisë familjare, bashkimit familjar, rastet e sëmundjeve të familjarëve, vërtetuar sipas dokumentacionit përkatës dhe raste të tjera të paparashikuara, por që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me personelin ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
7. Në rast humbjeje të jetës së personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, apo të pjesëtarit të familjes që e shoqëron në detyrë, shpenzimet për transportin e trupit në atdhe, si dhe ato të ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Të ardhurat për barrëlindje për personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, gjatë kohës që është në detyrë, mbulohen nga sigurimet shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
8.1 Në rast se personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, vendos të vijojë lejen e barrëlindjes, pas periudhës 63-ditore nga lindja e fëmijës, atëherë personeli zëvendësohet në detyrë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Në këtë rast, personeli i zëvendësuar në varësi të statusit që gëzon, do t’i nënshtrohet legjislacionit në fuqi.
KREU III
TRAJTIMI DHE MBULIMI I SHPENZIMEVE FINANCIARE PËR FAMILJARËT E PERSONELIT USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
1. Ministria e Mbrojtjes mbulon shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe sigurimin e detyrueshëm shëndetësor të bashkëshortit/es të personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, për periudhën që ai/ajo e shoqëron personelin në shërbim. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortin/en të llogaritet, përkatësisht, si më poshtë vijon:
a) Për bashkëshortin/en, i cili/e cila përfiton pagë mujore, sipas pikës 2, të këtij kreu, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen nga Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me masën e pagës së përfituar dhe sipas legjislacionit shqiptar në fuqi;
b) Në rastet kur bashkëshorti/ja punësohet me kohë të pjesshme në strukturat e përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen nga Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me parashikimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.
2. Bashkëshorti/ja i/e personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfiton pagë mujore në vlerën 50 % të pagës së pozicionit të punës, grada “nëntetar”, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve që shërbejnë me shërbim jashtë vendit. Paga mujore fillon pas paraqitjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes, nga titullari i misionit ose postit të vërtetimit të shoqërimit të personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit, nga bashkëshorti/ja në detyrë, në vendin pritës.
2.1. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet kur bashkëshorti/ja e ushtarakut trajtohet me pagesë papunësie, sipas legjislacionit në fuqi, i cili/e cila vazhdon edhe gjatë kohës në mision.
2.2. Kjo pagë mujore i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
2.3. Në rast se bashkëshorti/ja emërohet në një vend pune në vendin pritës, humbet të drejtën e përfitimit të pagës mujore.
2.4. Bashkëshorti/ja i/e personelit ushtarak ose civil i emëruar me detyrë jashtë vendit, që nuk e shoqëron atë në detyrë në vendin pritës, nuk përfiton pagën mujore të parashikuar në këtë pikë. Bashkëshortit/es kur nuk e shoqëron personelin ushtarak ose civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit për më shumë se 3 (tre) muaj të njëpasnjëshëm, i ndërpritet e drejta për pagë mujore.
3. Fëmijët nën moshën 18 vjeç, që jetojnë në vendin pritës me personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfitojnë shpërblim mujor me vlerën 20 % të pagës së gradës “nëntetar”, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve që shërbejnë me shërbim jashtë vendit. Ky shpërblim i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Trajtimi financiar i fëmijës paguhet në llogarinë e personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
4. Në rastet kur në vendin pritës çerdhet publike, kopshtet publike dhe shkollat publike janë me pagesë, shpenzimet përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes deri në përfundimin e arsimit të mesëm. Pagesa kryhet me miratimin e ministrit të Mbrojtjes, pas paraqitjes të dokumentacionit që vërteton masën e pagesës mujore/vjetore që duhet paguar, të lëshuar nga institucioni çerdhja, kopshti, shkolla publike përkatëse.
5. Në rastet kur në shtetin pritës programi mësimor në çerdhet publike, kopshtet publike dhe shkollat publike nuk zhvillohet në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, shkollimi i fëmijëve të personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, mund të bëhet në shkolla private të licencuara. Në këto raste, me miratimin e ministrit të Mbrojtjes mbulohet tarifa për shkollimin e fëmijëve, deri në masën 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në vit. Mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Shpenzimet e tjera të shkollimit, si pagesa e librave, transporti, pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive etj., përballohen nga personeli ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
1. Rregullat e përcaktuara në pikën 3.1, të kreut II, të këtij vendimi, do të zbatohen vetëm për kontratat e qirasë, të lidhura pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Vendimi nr.305, datë 12.3.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, që shërbejnë në shtabet e NATO-s e në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, dhe të ushtarakëve shqiptarë, që shërbejnë pranë organizatave ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.



