Ka ndërruar jetë në reanimacion në spitalin e Durrësit, 73-vjeçarja e prekur nga koronavirusi, duke shënuar viktimën e parë në Shqipëri nga COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë tha zyrtarisht se pacientja 73 vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ndërroi jetë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.
Ajo vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus, post by pass dhe prej disa vitesh nën survejimin e mjekëve.
Gruaja e moshuar 73-vjeçare, mbrëmjen e djeshme u dërgua nga infektivi i Durrësit në reanimacion pasi kishte pasur tension të lartë 140/70.
Gjendja e saj shëndetësorë u përkeqësua prej mbrëmjes së djeshme, aq sa e moshuara nuk mundi të përballojë as transportimin me autoambulancë drejt spitalit Infektiv në Tiranë.
11 të infektuar me koronavirus në Shqipëri
11 persona janë infektuar me koronavirus në Shqipëri, nga 157 analiza të kryera në total.
Brenda 24 orëve të fundit janë kryer 43 testime, prej të cilave vetëm dy dolën pozitiv. Njëri ka lidhje të ngushtë me pacientin zero që erdhi nga Firenca dhe infektoi edhe babain dhe 6 familjarë.
Ndërsa pacienti i dytë është një 78-vjeçar nga Lushnja, i cili ka një histori udhëtimi në Bergamo të Italisë.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se gjendja e dy të prekurve të fundit me koronavirus është e mirë dhe, ata ndodhen në vetëkarantinë në shtëpi nën mbikqyrjen mjekësore.
“Njëri prej tyre është i lidhur me pacientin zero, ndërsa tjetri është një i moshuar në Lushnje, 78 vjeçar me një histori udhëtimi në Bergamo të Italisë që ka udhëtuar atje në mesin e epidemisë dhe është kthyer në Shqipëri. Të dyja rastet janë në vetizolim dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, tha ajo.
Deri më tani, 3 të prekur janë në spitalin infektiv në QSUT në Tiranë në gjendje stabël. Ndërkohë, të gjithë familjarët e pacientit zero ndodhen të vetëkarantinuar në shtëpi dhe nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjes.
Konferenca e kësaj të mërkure në Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë për publikun të dhënat e përditësuara nga situata e koronavirusit, ishte ndryshe nga të tjerat.
Zv.ministrja, doli e vetme pa përfaqësuesit e tjerë të autoriteteve shëndetësore, në një distancë të konsiderueshme me operatorët dhe gazetarët e pranishëm.
Vetëkarantimi: 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim.
Ata që vijnë nga jashtë: Rakacolli tha se të gjithë udhëtarët të plotësojnë skedën në hyrje, pasi vetëdeklarimi është i detyrushëm në kufi. Ajo tha se ata persona janë të detyruar të qëndrojnë në vetëkarantinim, derisa të kalojë një periudhë 14 ditore.
Të shtruarit në spital: Rakacolli deklaroi se 4 persona janë të shtruar në spital, 3 prej të cilëve në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në Spitalin Infektiv të Tiranës dhe një në terapi intensive në Durrës, ndërsa 7 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator.
Analizat: Në total deri në këto momente, janë testuar 157 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 12 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 9 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifkuar dhe 3 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje dhe një në Durrës.
Apeli: Të zbatohen me rigorozitet masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kufizoni lëvizjet!
Çfarë mund të bëni dhe çfarë jo, deri me 3 prill?
Zv/Ministrja Rakacolli në një konferencë për mediat vuri theksin se institucionet dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e bëra publike urdhrat e firmosur nga ministrja Manastirliu.
Urdhri i ri i firmos nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19:
1. Mbyllja për publikun deri në datë 03/04/2020 të
a. Ambienteve që ofrojnë shërbime në lokale nate
b. Të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve dhe të rinjtë, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra internet, qendra kulturore dhe argëtimi
2- Ndalimin deri në datë 03/04/2020 të:
a. Aktiviteteve sportive, sociale dhe kulturore;
b. Eksursioneve mësimore të organizuara prej institucioneve shkollore me destinacion brenda ose jashtë vendit;
c. Procedurave të konkursit për punësim personeli, konkurse shkollimi dhe specializimi.
3- Gjatë ditës, aktivitetet e bareve, restoranteve, lokaleve të ofrojnë shërbim për klientët duke respektuar distancën prej së paku dy metrash ndërmjet tavolinave në vendet ulur, dhë në çdo rast të garantojnë distancën prej së paku një metër të njëriut nga njëriu.
4- Institucionet publike dhe private, të hartojnë sipas fushës së përgjegjësisë së tyre brenda datës 11.03.2020 një plan masash për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare, duke prioritizuar kategoritë e shërbimit kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimit online, punës në distancë, dhe vetëm në raste të domosdoshme të ofrojnë shërbimin ndërmjet kontaktit fizik. Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me publikun institucionet duhet të pajisin personelin me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.
5- Institucionet publike që ofrojnë shërbime pritjeje për publikun në sportel të marrin masa për të shfrytëzuar maksimalisht shërbimet online dhe platformën e-albania.
6- Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimimësinë e shërbimti dhe të hartojnë një plan masash për të kufizuar kontaktet e punonjësve me publikun dhe për të shmangur grumbullimin e publikut në sportele apo ambiente të tjera të brendshme.
7- Detyrohen të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri nga zona me rrezikepidemiologjik të identifikuara të tilla prej Organizatës Botërore të Shëndetësise, të plotësojnë skedën e udhëtarit në pikat hyrëse kufitare dhe të vetëkarantinohen detyrimisht për një periudhë 14 ditore nga data e hyrjes në kufi.



