Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se nuk ndan të njëjtin qëndrim me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, e cila deklaroi se korrupsioni në Shqipëri është i pranuar nga shoqëria dhe kërkon kohë për t’u luftuar, përtej vetëm miratimit të ligjeve të mira.
Lala theksoi se shoqëria shqiptare nuk është e korruptuar, por heshtja dhe mosreagimi ndaj rasteve të korrupsionit krijojnë një perceptim të gabuar.
Nuk ndaj qëndrimin që shoqëria shqiptare është e korruptuar. As nuk besoj se një njeri është i detyruar të korruptohet për shkak të një halli personal. Mendoj se një pjesë e shoqërisë e relativizon korrupsionin, nuk e denoncon.
Mund ta shohë, thotë nuk është problemi im. Relativizimi ose qëndrimi në heshtje na bën ndoshta të dukemi si shumicë e korruptuar.
Por unë besoj se pjesa dërrmuese e shoqërisë nuk është e korruptuar. Has në përditshmëri plot njerëz, që e fitojnë jetesën e vet me punë të ndershme.
A mundet SPAK-u ta luftojë korrupsionin? SPAK i vetëm nuk e lufton dot korrupsionin, pasi duhen denoncime.
Do të thotë nëse unë gjendem përpara një rasti korrupsioni, nuk ka si ta dijë SPAK, duhet ta denoncoj.
Nuk ka denoncime. Njerëzit e relativizojnë, por kjo nuk e bën shoqërinë e korruptuar.



