Një udhëzues praktik për hedonizmin

Një udhëzues praktik për hedonizmin

Anthony Gottlieb*

Ku i kërkon një hedonist heronjtë e tij? Sigurisht, jo në traditat religjioze të Lindjes: atyre u mungon entuziazmi për kënaqësitë iluzore të kësaj bote. Buda vërtet mund të ketë hedhur poshtë asketizmin ekstrem, por ai më shumë është dhënë pas eliminimit të dëshirave sesa në përmbushjen e tyre. Islami dhe krishtërimi nuk mund të vijnë shumë në ndihmë. Ata janë më të interesuar të kënaqin Perëndinë sesa njeriun. Judaizmi ka arritur një kompromis më të lumtur me botën. Megjithatë, ashtu si fetë e tjera monoteiste, ai mban një sy hapur për kundërpërgjigjet që mund t’i vijnë nga lart.

Asnjë nga filozofët më të mëdhenj perëndimorë nuk ka prodhuar një model të kënaqësisë që mund të shërbejë si udhëzues për hedonistët modernë. Filozofët priren të jenë të thellë dhe të kujdesshëm. Të mendosh se mund të gjesh një një hedonist në komunitetin akademik është më tepër se të mendosh se mund të gjesh një vegjetarian në një thertore.

Kështu, Kanti predikoi një ungjill të ashpër detyrimi, ndërsa kënaqësitë e Platonit ishin abstrakte dhe intelektuale. Një platonist i mirë do të zgjidhte ta sodiste vaktin e përsosur dhe jo ta hante atë.

Por ka një filozof grek, emri i të cilit është bërë sinonim i jetës plot kënaqësi - sidomos kënaqësive sensuale, dhe mbi të gjitha ato të një degustuesi. Epikuri, i cili udhëhoqi një “ushtri” ndjekësish në një në Athinën e fillimit të shekullit të tretë para Krishtit, zakonisht nuk radhitet në kategorinë e parë të filozofëve. Në të vërtetë, për pjesën më të madhe të epokës së krishterë, ai u dënua si “derr” dhe një maniak seksual. Një peshkop i shekullit të XII ka shkruar se "bota është e mbushur me epikurianë për arsyen e thjeshtë se në shumicën e njerëzve, të paktë janë ata që nuk bëhen skllevër të epshit". Sulmet ndaj Epikurit ishin të zakonshme edhe në kohën e tij. Një ish-ndjekës i pakënaqur thoshte se Epikuri villte dy herë në ditë për shkak të konsumimit të tepërt të ushqimit dhe përfshihej në “filozofimet e famshme të mesnatës” në kopshtin e tij me katër gra të quajtura Hedeia, Erotion, Nikidion  dhe Mammarion.

Epikuri përkrahu një teori revolucionare dhe jofetare të universit, që do t’i siguronte famë edhe nëse do të kishte qenë një eunuk i matur në dietë. Bota konsiston, sipas Epikurit, në atomet e vogla që enden nëpër hapësirë derisa rastësisht përplasen dhe formojnë gjërat dhe krijesat që ne shohim. Kur atomet tona shpërndahen dhe ne vdesim, ky është fundi. Edhe perënditë janë thjesht grumbuj atomesh. Ata duket se nuk kanë detyra serioze për të kryer në univers, dhe nuk mund të kujdesen më pak se çfarë bëjnë njerëzit me veten ose me njëri-tjetrin. Qëllimi i filozofisë së Epikurit është t'i bëjë njerëzit të lumtur dhe një nga detyrat e tij më të mëdha është të qetësojë frikërat e panevojshme të shkaktuara nga feja.

Në mënyrë të veçantë, ishte e rëndësishme të kapërcehej frika nga vdekja dhe nga vuajtja në jetën tjetër. "Të gjitha të mirat dhe të këqijat janë ndjesi, ndërsa vdekja është mungesa e ndjesisë", shkruante Epikuri në një letër. "Prandaj një kuptim i saktë i asaj se vdekja nuk është asgjë për ne, e bën vdekjen e jetës të kënaqshme, jo duke shtuar kohë të pafundme, por duke na hequr nga dëshira për pavdekësinë". Toni antifetar i mendimit të Epikurit mbështetej nga admiruesi i tij i përkushtuar , poeti romak Lukreci, poema e të cilit "Mbi natyrën e gjërave" është më e gjata dhe më influentja kur është fjala për filozofinë epikuriane. Shën Zherom e hodhi poshtë Lukrecin, duke thënë se ai ishte çmendur për shkak të një overdoze të simotrës romake të Viagrës së sotme.

Epikuri ka thënë dikur se për të pasur një jetë të lumtur, njeriu duhet para së gjithash të ushqehet. Kjo ishte e lehtë për t'u nxjerrë nga konteksti, dhe reputacioni i tij si grykës ndoshta bazohet në pak më shumë se kaq. Në fakt, Epikuri dënonte të gjitha format e teprimit dhe rekomandonte një dietë të thjeshtë. Kopshti i tij i famshëm (sipas natyralistit Plini i Vjetër, ishte kopshti i parë i thjeshtë brenda mureve të qytetit) mund të mos ketë qenë një mriz joshës, por thjesht burim i frutave dhe perimeve për jetën e tij të thjeshtë. Ai gjithashtu do t’i ketë dhënë një moment shkëputjeje nga zhurma e qytetit: për Epikurin, qetësi ishte kënaqësia e fundit.

Kjo është arsyeja pse Epikuri i vërtetë - në kontrast me imazhin që i vizatuan kundërshtarët e tij - denoncoi frytet e kalbëzuara me shpejtësi të shthurjes dhe teprimit. Dhënia e vazhdueshme pas kënaqësive intensive do të kthehet mbrapsht, sipas Epikurit, sepse ajo çon në ferr psikologjik të skllavërimit të orekseve të pakënaqshme. Hedonisti i mundshëm duhet të kujdeset për që të garantojë se dhimbja e mbiplotësimit të dëshirave nuk ia prish paqen e mendjes dhe në këtë mënyrë të mposhtë qëllimin e tij origjinal për të siguruar një ekuilibër kënaqësie mbi dhimbjen.

Jeta më e mirë, thotë Epikuri, është ajo që nuk ka dhimbjet e trupit dhe shqetësimet e mendjes. Kjo tingëllon si kredo mjaft negative për njeriun e shekullit XXI që i përkushtohet jetës së mirë. Po të shkruante sot libra, Epikuri ndoshta do të pranonte se njeriu mund të synojë pak më të lart se kaq. Ai mund të theksonte duke mbrojtur veten se shëndeti dhe paqja janë parakushte esenciale të lumturisë dhe janë lehtësisht të nënvlerësueshme nëse jemi me aq fat sa t'i kemi. Por ndoshta vëzhgimi i tij më i dobishëm për hedonistët e sotëm, kur kënaqësi të panumërta u vërtiten pa ndalur para syve, është një zile zgjimi për zullumqarët: "Kënaqësia nuk është në vetvete e keqe, por gjërat që prodhojnë kënaqësi të caktuara sjellin mërzi shumë herë më të mëdha se vetë kënaqësia". / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

Anthony Gottlieb është kolumnist në “New Yorker”, ish-redaktor ekzekutiv i “The Economist” dhe autor i "Dream of Reason"

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy