Anëtari i grupit negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë, Artur Meçollari, në një intervistë për MCN TV deklaron se në gjykatën e Hagës duhet të shkohet me marrëveshjen e arritur në vitin 2018 dhe jo me marrëveshjen e plotë, pasi kjo do të ishte në dëm të palës shqiptare, përfshirë këtu humbjen e 40 km katror.
Meçollari shprehet se deri më tani procesi i negocimit është mbajtur peng nga interesat politike.
Nga pikëpamja politike dhe proceduriale, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pasi palët në momentin që s’arrijnë të negociojnë një çështje mund t’i adresohen një gjykate ndërkombëtare ose arbitrazhi. Ky është një vendim politik. Por çështja qëndron si do të shkojmë në Hagë. Pas rrëzimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese, ka pasur negociata në vitin 2018. Jo vetëm negociata por ka pasur dakordësi. Ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese por edhe një negociatë e zhvilluar në vitin 2018 që ka arritur në dakordësi. Pyetja shtrohet dakordësitë e vitit 2018 a do të jenë dakordësi në marrëveshjen speciale që do shkojmë në Hagë, apo do konsiderohen si mosdakordësi. Në rast se ne do të çojmë të gjithë çështjen në Hagë, çështjet e trajtuara nga Gjykata Kushtetuese do trajtohen me të njëjtën frymë, pasi nuk mund të shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por në negociatat e vitit 2018 janë arritur dy dakordësi përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këto dy dakordësi rrezikojmë t’i humbasim në Gjykatën e Hagës”.



