"Deri më tani, asnjë gjurmë minash apo eksplozivi tjetër nuk është gjetur në termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia". Këtë e ka bërë të ditur IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Shqetësimi për një fatkeqësi të mundshme në uzinë ka qenë i lartë që kur Rusia mori nën kontroll vendin vitin e kaluar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi dje për një kërcënim serioz. Ekspertët nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) inspektuan të premten pjesë të sistemit të ftohjes së centralit dhe kryen turne në gjashtë njësitë e reaktorit dhe zona të tjera përreth vendit. Agjencia tha se ishte në dijeni të raporteve se eksplozivët ishin vendosur rreth termocentralit. Raportet, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Mariano Grossi, janë marrë shumë seriozisht. "Megjithatë, deri më tani, ekspertët që kanë kryer kërkimet e tyre nuk kanë vëzhguar mina ose eksplozivë të tjerë. Aksesi i mëtejshëm do të jetë ende i nevojshëm".



