Gazetari Sebastian Zonja e ka cilësuar në "MCN informacion", si retorikë shoviniste deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç, për spastrim etnik, duke kërkuar reagim diplomatik nga Kosova dhe Shqipëria.
Sipas Zonjës, deklarata cenon parimin e sovranitetit dhe duhet të trajtohet në nivelet më të larta diplomatike.
Është një retorikë shoviniste që cenon parimin e sovranitetit.
Dialogu politik në Bruksel për njohjen e ndërsjellë ka në thelb njohjen e Kosovës nga Serbia dhe njohjen e Serbisë nga Kosova. Deklarata të tilla e minojnë këtë proces.
Bëhet fjalë për një qëndrim që vjen nga nivele të larta të politikëbërjes në Serbi, jo nga individë pa ndikim institucional.
Nuk po flasim për nivele të ulëta apo për persona dytësorë, por për një personazh që mban një institucion të rëndësishëm.
Sipas gazetarit, tashmë mbetet për t’u parë se sa efektive do të jetë diplomacia e Kosovës dhe Shqipërisë në reagimin ndaj kësaj deklarate.
Ajo që do të shohim tani është se sa fuqi ka diplomacia e Kosovës. Nëse është e aftë, duhet ta ngrejë këtë çështje në nivelet më të larta politike.
Raste të tilla mund të shërbejnë edhe për të treguar në arenën ndërkombëtare qëndrimet e politikës serbe.
Ndonjëherë edhe kanalet diplomatike mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të përdoren për raste të tilla, për të treguar se cila është në realitet fytyra e qeverisë serbe.



