
Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi sot dënimin me dy vite burg për ish-kryprokurorin Adriatik Llalla.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin në fjalë, që përfshin edhe pesë vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.
Ish-kryeprokurori kishte apeluar vendimin e SPAK-ut, që e ka dënuar atë “me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga çdo post dhe funksion publik”.
Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka zhvilluar seancën me përfaqësimin e avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj.
Llalla u përfaqësua nga avokati i tij, pasi sic mësohet Llalla ndodhet për kurim jashtë vendit, në Gjermani.
Sipas avokatit Hazizaj, ish-prokurori ndodhej në spital nga një sëmundje e rëndë.
Avokati kundërshtoi vendimin duke e quajtur të padrejtë pasi gjykata s’ka konsideruar pretendimet e palës mbrojtëse.
“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që është në spital. Gjykata edhe e shkallës së parë edhe e Apelit, ka bërë copy-paste vendimin pa marrë parasysh asnjë detaj të mbrojtjes. Do ta çojmë në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet, mund të jetë edhe në Shqipëri. Gjykata nuk ka konsideruar pretendimet tona, që do të thotë të dënohesh për një vepër penale që nuk e ke kryer, për një deklarim që e ke kryer”, u shpreh avokati i Llallës, Sokol Hazizaj para mediave.
Adriatik Llalla është kryeprokurori i parë shqiptar dhe ndër zyrtarët e parë të lartë që dënohet me burg nga Insitucionet e reja të Drejtësisë.
Llalla dhe familja e tij shpallur “non grata” në SHBA.
Pasuritë e konfiskuara të ish-kryeprokurorit Llalla janë:
– Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
– Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
– Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
– Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;
– Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë.



