Dy arrestime të reja për korrupsion ndah ish-zyrtarëve të lartë të Bashkisë Tiranë. Gazetari i MCN TV, Arsen Rusta, raporton se Mariglen Qato dhe Redi Molla, përkatësisht kreu i IMT-së dhe kreu i UKT-së Tiranë, janë vënë në pranga. Ndaj tyre rëndon akuza e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Qato dhe Molla janë ish-zyrtarët e radhës të Bashkisë së Tiranës që arrestohen për korrupsion, pas Taulant Tushes, ish-drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike.
SPAK ka lëshuar masën detyrim paraqitjeje për: Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Elantina Zere dhe Deborah Keçi.
Qato është kallëzuar në Prokurori dhe SPAK nga KLSH. Po ashtu, edhe ish-kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, e ka paditur Qaton vitin e kaluar në SPAK. Këlliçi e akuzon se në konflikt interesi, ka punësuar njerëzit e tij të afër në bashki, ndërsa ka krijuar edhe një firmë ndërtimi, duke përfituar miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës, në kundërshtim me ligjin e konfliktit të interesit.
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi R.M. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
Në këto procedura prokurimi shtetasi R.M. ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni shtetasin M.Q. që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi M.Q. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi M.Q. ka patur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.
Text Pjesa 2



