
Italianët i kanë thënë po reduktimit të numrit të deputetëve në të dy dhomat e Parlamentit. Në referendumin e 20 dhe 21 shtatorit (votimi u shtri në dy ditë), votuesit italianë kanë zgjedhur opsionin “po” për më pak përfaqësues në Dhomën e Ulët dhe në Senat.
Në favor të këtij reduktimi kanë votuar 69.5 për qind të italianëve me të drejtë vote, ndërsa e kanë kundërshtuar jo pak më shumë se 30 për qind (30.4).
Vota e italianëve përkthehet në modifikimin e neneve 56 dhe 57 të Kushtetutës, sipas ligjit të votuar më parë nga Parlamenti.
Numri i deputetëve do të reduktohet nga 630 aktualisht, në 400, ai i senatorëve të zgjedhur nga 315 në 200, përfshirë parlamentarët e zgjedhur jashtë vendit (8 deputetë kundër 12 aktualëve dhe 4 senatorë kundër 6 aktualëve).
Sot ka një deputet për çdo 96 000 banorë, ndërsa me shkurtimin e vendeve i bie që një deputet të përfaqësojë 151 000 qytetarë. Në Senat, sot ulet një senator për çdo 188 mijë banorë, me shkurtimin e sanksionuar me referendum do të ketë një senator për çdo 302 mijë banorë.
Me këtë ndryshim, shteti italian kursen 53 milionë euro në vit për Dhomën e Ulët dhe 29 milionë euro për Senatin.
Zaia fiton mandatin e tretë me rezultat spektakolar
Paralel me referendumin, italianët votuan edhe për guvernatorët e rajoneve. E majta ka fituar rajonet e Toskanës, Pulias dhe Kampanias. Ndërkohë, e djathta ka marrë Ligurian, Veneton dhe Marke.
Në mes të këtyre bie në sy fitorja spektakolare e Luac Zaias, guvernatori i rajonit më të pasur të Italisë, Veneto. Ai merr mandatin e tretë me rreth 78% të votave. Nëse mban këtë përqindje deri në fund të numërimit, do të jetë mbështetja më e madhe me votë qëkur është votuar për herë të parë për rajonet në Itali.
Një fitore e shpallur, por jo në këto përmasa. Rivali i tij, nga Partia Demokratike dhe qendra e majtë, Arturo Lorenzoni, arriti të merrte vetëm 13% të votave.
Kjo përqindje i jep Zaias të drejtën për të qeverisur i vetëm.
Duke komentuar rezultatet elektorale, Zaia tha se "tani synimi është autonomia".
Autonomia është një synim i hershëm i rajoeve të Venetos dhe Lombardisë. Dy nga rajonet më të pasura veriore të Italisë kanë votuar për më shumë autonomi, në referendumin e tetorit të 2017.
Edhe pse nuk kishte efekt detyrues, ky referendum nxori në pah dëshirën e banorëve të dy rajoneve për më shumë autonomi, me argumentin se veriu i pasur po subvencionon jugun e varfër.
Të dy rajonet në fjalë përbëjnë rreth 30% të pasurisë kombëtare të Italisë



