Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha sot në Kuvend se opozita ka marrë formën e një humbësi të madh. Duke komentuar protestën që PD-ja ka paralajmëruar për të shtunën, Ahmetaj tha se nuk mund të merret shembull Rumania nga ata që nuk kanë votuar vetingun.
“Opozita ka marrë formën e një humbësi të madh dhe ajo që bën është të ftojë në protestë kundër reformës në drejtësi. Sjellin Rumaninë si shembull. Po të ishte Rumania shembulli juaj, duhej të kishit mbështetur vetingun”, tha ai.
Ahmetaj tha se ndryshe nga ajo që përpiqet të përcjellë opozita, gjendja e ekonomisë është përmirësuar në terma realë gjatë viteve të fundit të qeverisjes.
“Një nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare tregon se ekonomia shqiptare është në përmirësim të vazhdueshëm dhe po rikuperon atë hendek të trashëguar nga ju. Ju jeni opozitë e vjetër e qeverisë së vjetër. Dolët me tam-tame për lirinë ekonomike. Qesharake! Kujt i tregoni lirinë ekonomike. 87 pikë marrim si vend I hapur nga renditja e “Heritage Foundation”. Mes nesh dhe jush ka diferencë. Kjo e jona nuk është qeveri e krimit. Ju vratë në 21 janar, në Gërdec, vodhët naftën dhe ia shitët Milloshviçit. Vini këtu dhe diskutoni krizë. Kriza jeni ju”, tha ai.



