Avokati Spartak Ngjela ka komentuar në ‘MCN Live’ zhvillimet hetimore që lidhen me çështjen e AKSHI-t dhe proceset e drejtësisë në vend, duke theksuar se bëhet fjalë për një hetim në vijimësi dhe me ndikim të gjerë institucional.
Sipas tij, struktura e posaçme kundër korrupsionit po vepron me mbështetje teknike ndërkombëtare, ndërsa rezultatet e hetimeve ende nuk janë plotësisht të qarta. Ai ka nënvizuar se procesi është në fazë grumbullimi provash dhe se goditja ndaj korrupsionit mund të jetë e fortë dhe e zgjeruar.
Ajo është një çështje në vazhdim. SPAK nuk drejtohet nga ne, as profesionalisht, sepse janë ekspertë të huaj, por do të na shpëtojnë apo jo nga kjo gjendje e madhe e korrupsionit, mbetet për t’u parë. Ka rënë aspekti i goditjes; ka mundësi që provat nuk janë depozituar të gjitha, sepse goditja për AKSHI-n do të jetë e ashpër dhe e gjerë.
Korrupsioni ka një veti të përbashkët në të gjitha vendet perëndimore: ka bashkëpunim, sepse korrupsioni shtetëror pa kapitalin e tregut nuk fiton dot. Pra, kemi një marrëveshje të heshtur midis të korruptuarit që vjen nga shtresa e lartë e politikës dhe palës tjetër. Ajo ka filluar dhe është në vazhdimësi; çështja është e rëndë dhe krimi ka qenë me një bashkëpunim të gjerë.
Nëse nuk ka një marrëveshje mes të korruptuarit që vjen nga politika dhe tregut, nuk ka fitim për palën politike. Ky është korrupsioni shqiptar dhe është shumë i rëndë. SPAK është futur, por jam me mendimin se provat nuk janë ende të qarta dhe të sakta. Jemi në fazën e akumulimit të provave, por lufta kundër korrupsionit këtu është shumë e thellë; janë të pandehur edhe ish-kryeministra e ministra.
Një person në hetim mund të dalë në media, por fakti që janë me avokat nuk do të thotë se mund të mbahet më sekret hetimi, sepse flasin avokatët.
Ngjela ka komentuar edhe raportet mbi masën e sigurisë “arrest me burg”, në një kohë kur Avokati i Popullit ka evidentuar raste të qëndrimit të zgjatur në qeli pa gjykim. Ai theksoi se vendimmarrja varet nga organet e drejtësisë dhe nga mënyra se si ato menaxhojnë çështjet me volum të lartë hetimesh.
Sipas tij, në raste të akuzave të rënda dhe kur ekziston rreziku i ndikimit mbi provat, masa e arrestit mund të jetë e domosdoshme. Megjithatë, ai pranoi se proceset mbeten të ndërlikuara, sidomos kur përfshihen figura publike dhe ish-zyrtarë të lartë.
Kjo është diçka që nuk varet nga ne, por nga mënyra se si e ka situatën e brendshme prokuroria dhe gjykata në funksion të të pandehurve dhe të arrestuarve. Zakonisht, kur numri i të akuzuarve është i madh, organet e drejtësisë hasin vështirësi, sepse ne e kemi të kufizuar mbajtjen e tyre në institucionet e drejtësisë.
Duhet parë me vëmendje tani që ka filluar lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, kur ende nuk kemi një statistikë të qartë se si është korrupsioni në institucionet shtetërore. Avokatët e Erion Veliajt, Ilir Metës dhe Ilir Beqajt janë ende të përfshirë në proceset gjyqësore; fakti që ata janë në arrest tregon se masa e arrestit ndaj një individi me akuzë është e domosdoshme kur shërbimet kanë të dhëna që ai mund të deformojë provat ose t’i fshehë ato; atëherë vendoset burgu i detyrueshëm.
Por nuk e di se ku mund të përfundojmë me ta, pasi po flasim për ish-ministra dhe ministra që kanë pasur një strukturë të gjerë. Do të shohim si do të përfundojë kjo çështje dhe nuk është e lehtë. Por, duke u nisur nga fakti që nuk e drejtojmë ne dhe nuk e paguajmë ne, atëherë kemi shpresë se do ta çojnë deri në fund luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.



