
Kanë filluar në Tiranë takimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me përfaqësuesit evropianë, në kuadër të punimeve të Këshillit të 12-të të Stabilizim Asociimit.
Kryeministri Edi Rama, kë bërë të ditur fillimin e punimeve të Këshillit, përmes fotove ku ka pritur zyrtarët e lartë të BE-së.
Këshilli i 12-të i Stabilizim-Asociimit pritet të shqyrtojë marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Pjesëmarrësit do të përqendrohen në strategjinë e pranimit, duke përfshirë kriteret politike, kriteret ekonomike dhe acquis të BE-së, dhe do të analizojnë marrëdhëniet dypalëshe sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Gjithashtu do të ketë një shkëmbim mendimesh për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell mbërriti më herët në Tiranë për Këshillin e 12-të të Stabilizim Asociimit.
Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Komisioni Evropian do të përfaqësohet nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi.
Pas Këshillit, Përfaqësuesi i Lartë Borrell, kryeministri Rama dhe komisioneri Várhelyi do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi.



