
Linja ajrore irlandeze, Ryanair, nuk do të mund detyrojë pasagjerët spanjollë të paguajnë tarifë shtesë nëse duan të marrin me vete më shumë se një çantë dore. Vendimin e ka marrë një gjykatë në Madrid.
Një grua spanjolle e hodhi në gjyq Ryanair, pasi kompania e detyroi të paguante shtesë kur ajo tentoi të hipte në një aeroplan në Madrid me 10 kg bagazhe dore. Gjykatësi spanjoll vendosi që viktima mund t’i kishte vendosur çantat nën vendin e pasagjerit, te këmbët e saj, raporton De Standaard.
Linja ajrore aplikoi kufizime në bagazhet e dorës në nëntor 2018. Udhëtarëve nuk u lejohet të mbajnë më shumë se një çantë apo valixhe, pesha e të cilës nuk duhet t’i kalojë 10 kg dhe duhet të përshtatet në përmasa nën sediljen e avionit.
Me këtë masë, Ryanair dëshiron të parandalojë vonesën që ndodh kur më shumë pasagjerë dëshirojnë të hipnin në aeroplan me valixhe me rrota, çanta shpine të mëdha ose çanta më të mëdha sesa vendi i caktuar për to në avion.
Sidoqoftë, Ryanair tha se do të vijojë t’i zbatojë rregullat e rrepta të bagazheve, pavarësisht vendimit të gjykatës.



