Në një deklaratë për shtyp, të zhvilluar pak përpara nisjes së protestave të paralajmëruara për ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka hedhur akuza të rënda mbi organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubime.
Rama deklaroi se lëvizja po keqpërdoret nga elementë radikalë dhe me precedentë kriminalë, të cilët synojnë të devijojnë rrugën e Shqipërisë dhe të shkaktojnë terror urban. Kreu i qeverisë bëri me dije se Shqipëria është në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë si Italia dhe Franca, vende të cilat po përballen gjithashtu me trazirat përkatëse.
Ndërsa pranoi se ka problematika reale që kërkojnë adresim, Rama theksoi se dhuna nuk do të tolerohet dhe zbuloi se Policia e Shtetit ka ndaluar një numër të madh personash që nuk kanë asnjë lidhje me universitetet.
Dje u informova për një listë të gjatë personash me precedentë kriminalë, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore, ushtruan dhunë dhe janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit. Një listë, domethënë, përfaqësuese e një komponenti protestuesish që është integruar në këtë masë të larmishme personash, me një qëllim të qartë: destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën. Pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja që vazhdojmë t’i hetojmë intensivisht.
Kryeministri nuk kurseu as kritikat e ashpra ndaj mediave dhe debateve televizive, të cilat sipas tij po përpiqen të legjitimojnë dhe të "himnizojnë" dhunën urbane në emër të një ndryshimi politik.
Ajo që më bëri përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste që minimalisht duhet t’i bënte të gjithə të reflektonin nga mosdistancimi ndaj dhunës. Sipas VIP-ave të mbrëmjeve të himnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një momenti transformues për Shqipërinë. Këtu nuk ka moment tjetër transformues përveç një sfide të hapur për problemet që kërkojnë adresim. Gjuhë huri, guri dhe kërcënimesh s’mund të fitojë qasje qytetarie për të nesërmen. Ne po punojmë me orë të zgjatura, jam i vëmendshëm për shkaqet reale të disave që simpatizojnë një protestë dhe ndiejnë nevojën për të protestuar. Pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna, për sa kohë ai terror urban u shkaktua nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht, nga ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të paguar për të yshtur ndasinë fetare. U futën në turmë, të maskuar si studentë, për të ushtruar dhunë.



